
Myftiu i Shkodrës ligjëron në Dinoshë të Malit të Zi
Ditën e diel, më 16 shkurt 2025, me ftesë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Dinoshë të Malit të Zi, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mori pjesë në aktivitetin që zhvilloi KBI Dinoshë në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit.
Në pritje të Myftiut të Shkodrës ishin kryeimami i Dinoshës, H. Xhevahir ef. Arifaj, kryetari i Këshillit të xhamisë Dinoshë, z. Shemsudin Luani dhe imami i xhamisë Msc. Nadir ef. Bajraktari, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe bashkërisht me xhematin e pranishëm falën namazin e jacisë.
Më pas, gjatë ligjëratës së tij, Myftiu i Shkodrës u ndal në rëndësinë që ka parapërgatitja e besimtarit për pritjen si duhet të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, duke e konsideruar atë një mik të veçantë dhe me shumë rëndësi që vjen një herë në vit si një bekim i madh nga Zoti i gjithësisë për krejt ymetin islam dhe mbarë njerëzimin.
Nëpërmjet argumenteve të shumta kur’anore, hadithet dhe trashëgimia islame, Myftiu Sytari përcolli disa mesazhe me dobi, të cilat u mirëpritën nga besimtarët e pranishëm në këtë mexhlis të begatë.
Aktiviteti vazhdoi edhe me ndejën pas tubimit në xhami, ku Myftiu iu përgjigj pyetjeve të shumta të pranishmëve në një bashkëbisedim të ngrohtë dhe vëllazëror me vlera islame dhe kombëtare.