
Pendimi dhe kthimi tek Allahu si parapërgatitje për pritjen e muajit të Begatë të Ramazanit
Në vijim të ciklit të ligjëratave me temë: “Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit”, mbrëmjen e së enjtes, më 20 shkurt 2025, në vend të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, për shkak të një udhëtimi të paplanifikuar, ligjëratën e kësaj mbrëmjeje, në xhaminë e fshatit Shtuf, e mbajti teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.
Në ligjëratën e tij, teologu Hamja u ndal te rëndësia e kthimit tek Allahu i Madhëruar si parapërgatitje e pritje së muajit të Begatë të Ramazanit. Ai theksoi se pendimi është një cilësi e lartë e besimtarëve dhe prej mëshirës së Allahut është se, kur robi pendohet dhe kthehet te Zoti i tij, edhe gabimet ia kthen në vepra të mira. Këtë e vërteton më së miri ajeti kur’anor, kur Zoti i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Përveç atij që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, të tillëve, Allahu ua kthen të këqija e tyre në të mira. Me të vërtetë Allahu është Falës, Mëshirues!” – (Kur’ani, El-Furkan: 70)
Më tej, imami i nderuar solli shembuj të ndryshëm të pendimeve nga Kur’ani Famëlartë, hadithet e Pejgamberit (a.s) dhe nga brezat e parë, të cilët me pendimin e tyre janë kthyer në njerëz të devotshëm dhe të përkushtuar, përmes adhurimit dhe veprave të mira.
Teologu Hamja falënderoi imamin e xhamisë së fshatit Shtuf, H. Fehmi Dushku për angazhimin dhe shërbimet e tij në këtë xhami, si dhe besimtarët e saj të përkushtuar, të cilët e mirëmbajnë dhe përkujdesen për të.
Cikli: “Tre Muajt e Mirë dhe thirrja e besimit” do të vazhdojë me ligjëratën e radhës në xhaminë e fshatit Mëlgushë, ditën e enjte, më 27 shkurt 2025.