
Myftinia Shkodër në mbështetje të Shtëpisë së të Moshuarve Shkodër
Paraditen e së enjtes, më 27 shkurt 2025, në prag të muajit të Begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër dorëzoi në Shtëpinë e të Moshuarve Shkodër, 30 pako ushqimore për banorët e kësaj Shtëpie të madhe.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Ervil Kuçi, njëkohësisht dhe përgjegjës i shërbimit social pranë Myftinisë, tha përpara medieve, se: Në prag të muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, njëra prej përparësive të Myftinisë Shkodër, padyshim që është edhe fusha e bamirësisë dhe e kujdesit ndaj njerëzve në nevojë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë, përmes projektin Shporta e Ushqimit të Fondacionit Bamirës Mbreti Selman, i kanë dhuruar Myftinisë Shkodër një kontingjent ndihmash prej 380 pakosh ushqimore, prej të cilave 30 pako i dorëzuam sot në Shtëpinë e të Moshuarve Shkodër. Ndërsa, pjesa tjetër e këtij kontingjenti do të shpërndahet në ditën në vijim sipas një kalendari dhe listash të njerëzve dhe shtresave të ndryshme në nevojë.
Teologu Kuçi, ndër të tjera theksoi se, muaji i Ramazanit nuk është vetëm muaj i agjërimit, por edhe muaj i solidaritetit dhe i përkrahjes, ku i njeriu i mundësive ndihmon vëllain e tij në nevojë.
Ndërsa, drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve, z. Fatjon Hoxha falënderoi Myftininë e Shkodrës dhe në veçanti Myftiun, Imam Muhamed B. Sytari, që nuk e harrojnë këtë Shtëpi të madhe, por gjithmonë e përkrahin me projekte dhe iniciativa të mira, duke iu gjendur pranë të moshuarve, të cilët jetojnë dhe kalojnë jetën e tyre së bashku.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë bamirësit dhe u bën thirrje të gjithëve të solidarizohen dhe të mbështesin me sa kanë mundësi njerëzit dhe shtresat në nevojë.