
Veprimtari humanitare në prag të muajit të begatë të Ramazanit
Ditën e mërkurë, më 26 02. 2024, Myftinia Shkodër, në kuadër të muajit të Begatë të Ramazanit zhvilloi shpërndarjen e 90 pakove me ndihma ushqimore për anëtarët e shoqatës së Personave më Shikim të Kufizuar në Shkodër.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në prani të medieve tha se: “Myftinia Shkodër në kuadër të muajit të Begatë të Ramazanit ka nisur shpërndarjen e ndihmave për shtresat në nevojë, të varfër dhe skamnor, të cilët zënë një hapësirë të veçantë gjatë këtij muaji dhe në shenjë humanizmi dhe solidariteti me ta”.
Teologu Halluni u shpreh se: “Ky gjest modest nuk është vetëm një ndihmë materiale, por mbi të gjitha një shenjë e kujdesit dhe vëmendjes sonë ndaj një komuniteti që meriton më shumë mbështetje dhe përfshirje”.
Ai falënderoi Zyrën e Çështjeve Fetare, pranë Ambasadës së Republikës Turqisë në vendin tonë, pikërisht atasheun e saj, Dr. Adem Gerdeliz, për dhurimin e këtyre pakove me ndihma të shpërndara për këtë shtresë në nevojë, nën organizimin e Myftinisë Shkodër.
Myftinia do të vazhdojë në prag dhe në ditët e muajit të Ramazanit, me veprimtari të tjera të shpërndarjes së ndihmave të ndryshme humanitare për familjet në nevojë, jetimët, etj.