
Myftiu Sytari: “Ramazani është muaji i njeriut, largohuni nga këto veprime!”
Nëpërmjet një mesazhi të publikuar në kanalin e tij në yt, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i është qasur disa pyetjeve që ka marrë nga ndjekës të ndryshëm në lidhje me marrëdhënien e agjëruesit me rrjetet sociale gjatë ditës së agjërimit.
Në mesazhin e tij, Myftiu Sytari thekson se Muaji i Ramazanit është mundësia më e mirë e besimtarit për t’u marrë me veten e tij, larg rutinës së përditshme, ku në qendër të vëmendjes janë rrjetet sociale me të rejat e tyre.
Myftiu këshillon që gjatë ditës së agjërimit, besimtari duhet të ndahet sa më shumë nga rrjetet sociale dhe çdo gjë që ia vjedh kohën, të cilën duhet t’ia kushtojë vetes së tij, duke analizuar marrëdhënien me Allahun, lidhjen me namazet ditore, përsosjen e dhikrit, përqendrimin në lutje dhe shtimin e heshtjes meditive.
Myftiu Sytari lutet që besimtarët me agjërimin e tyre të gjejnë vetveten, ekuilibrat e adhurimit dhe të përfitojnë sa më shumë nga kjo periudhë, larg agjendave të ngjeshura të shejtanit të mallkuar.
Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni këshillën, që Imam Muhamed B. Sytari ndau me besimtarët.