
Myftiu Sytari: “Nga sot nisim punimet për xhaminë e re të fshatit Drisht”
Ditën e xhuma, më 4 prill 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e fshatit Drisht, Njësia Administrative Postribë.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve të pranishëm Myftiu i Shkodrës vendosi në peshore dy lloj njerëzish në marrëdhënien e tyre me xhaminë.
“Grupi i parë” janë ata, për të cilët Allahu i Madhëruar thekson në Kur’anin Famëlartë në suren Et-Teube, në ajetin 18: “Me të vërtetë, kujdesen për xhamitë e Alahut, ata të cilët besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit.
Ndërsa, “grupi i dytë” janë ata, për të cilët Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë në suren El-Bekare, në ajetin 114: “E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh!”
Myftiu theksoi se: “Është në nderin e muslimanëve të përkushtuar, të cilët përtej çdo situate nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut, që të mendojnë, të punojnë, të ndërtojnë dhe të mirëmbajnë xhamitë, shtëpitë e Allahut mbi tokë.”
Ai theksoi, se në këtë kontekst, shekuj e shekuj më përpara, baballarët dhe gjyshërit tuaj e dhuruan këtë tokë vakëf dhe e ndërtuan këtë xhami për t’u bërë simbol i besimit, i vëllazërisë dhe i harmonisë në mesin e njerëzve brez pas brezi.
“Dhe, ja ku jemi sot, 35 vite pas rënies së perdes së zjarrtë të komunizmit dhe akoma vakëfi i Drishtit mbetet peng i injorancës, primitivizmit dhe atyre që kanë devijuar nga rruga e baballarëve. Veprës së ulët, të atyre që nuk besojnë Zotin dhe nuk e kanë frikë Atë, i bashkohen edhe përfaqësuesit e institucioneve të këtyre 35 viteve në Shkodër, të cilët përtej kërkesave të vazhdueshme, takimeve, insistimeve dhe këmbënguljes së Myftinisë Shkodër për lirimin e këtij vakëfi, as nuk e certifikuan pronën tonë shekullore, as nuk e penguan grabitjen e saj, dhe sot punohet për legalizimin e kësaj grabitjeje të turpshme dhe të patolerueshme!”, – tha Myftiu gjatë hytbes së tij.
Duke iu referuar pamjeve dhe dëshmive të viteve të fundit, ku xhamia është në një gjendje të mjerueshme e mbuluar nga lagështira, me tavanin që pritet të bie copa-copa nga momenti në moment, në ujin që hyn gjatë ditëve me shi dhe me prishjen e ambienteve të brendshme duke e bërë të papërshtatshme për kryerjen e ritualeve të përditshme, Myftiu lajmëroi se sot, me mbarësinë e Allahut të Madhëruar e mbyllim këtë xhami, duke nisur menjëherë fushatën bamirëse për mbledhjen e fondeve për restaurimin e saj.
Myftiu theksoi, se grupi i punës, që do të ndjekë të gjitha detajet e nevojshme për ndryshimin e pamjes së xhamisë së Drishtit është ngritur tashmë dhe së bashku me këshillin e xhamisë Drisht, do të bashkëveprojnë për të ndjekur hap pas hapi krejt procedurat e nevojshme për nisjen sa më shpejt të punimeve për xhaminë e re, pa pritur burokracitë e panevojshme në këtë drejtim.
Myftiu ftoi besimtarët dhe bamirësit të mos kursehen për të dhënë për xhaminë e re të Drishtit dhe theksoi: “Unë i pari së bashku me familjen time do të japim kontributin e parë për këtë xhami dhe pas kësaj ftojmë të gjithë të interesuarit dhe të gjithë dashamirët për t’iu bashkuar iniciativës tonë për të mirën e komunitetit besimtar të Drishtit, Postribës, të mbarë Shkodrës”.
Myftinia Shkodër ju fton që t’i bashkëngjitkeni kësaj nisme të dobishme për komunitetin dhe besimtarët.
Për të kontribuar mund të kontaktoni:
Myftinia Shkodër: Cel/whatsapp: +355 67 455 3880
Lavdrim Hamja: Cel/whatsapp: +355 69 229 3069
Kontributin tuaj mund ta kryeni pranë zyrë së Myftinisë Shkodër, ose ta dërgoni në llogarinë bankare të Myftinisë Shkodër:
United Bank of Albania – Branch Shkoder
MYFTINIA SHKODER – FONDE BAMIRESIE
Nr. IBAN LEK:
AL11-2035-1102-2010-1521-1100-0546
Nr. IBAN USD:
AL50-2035-1102- 2010-1401-1100-0543 | SIWFT CODE: AAISALTR
Nr. IBAN EUR:
AL61-2031-0025-1702-0015-0000-0210 | SIWFT CODE: AAISALTR