
Programe televizive dhe radiofonike për muajin e Begatë të Ramazanit 2025
Myftinia Shkodër, në kuadër të plan-programit të saj për muajin e Begatë të Ramazanit, ka organizuar një seri emisionesh televizive dhe radiofonike me temë “Hadithet e Ramazanit”.
Në këto emisione, të moderuara nga teologu Arben Halluni, kanë marrë pjesë për biseda e bashkëbisedime imamë dhe teologë të ndryshëm, duke ofruar një platformë për diskutime të detajuara mbi mësimet dhe traditat islame gjatë këtij muaji të bekuar.
Gjatë edicioneve të ndryshme që janë transmetuar në Tv1 Channel, në Tv Rozafa dhe portalet e Myftinisë Shkodër, u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me hadithet e Ramazanit, duke ofruar udhëzime dhe këshilla për besimtarët në këtë periudhë të rëndësishme shpirtërore. Po ashtu në këto emisione janë transmetuar edhe Hytbet e Xhumasë nga xhamitë e ndryshme të qytetit.
Përveç kësaj, Myftinia Shkodër ka bashkëpunuar me Radio Jehona për të transmetuar emisionin “Jehonë Ramazani”. Ky program i përditshëm ka synuar të sjellë tek dëgjuesit mesazhe frymëzuese dhe edukative, Fjalët e Allahut dhe të Pejgamberit (a.s), duke thelluar kuptimin e vlerave dhe praktikave të Ramazanit.