
Përfaqësues të Drejtorisë të Përgjithshme Shtetërore të Fondacioneve të Turqisë vizitojnë Myftininë Shkodër
Ditën e hënë, më 5 maj 2025, përfaqësues të Drejtorisë të Përgjithshme të Fondacioneve, pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë zhvilluan një vizitë pune në Myftininë e Shkodrës.
Miqtë nga Turqia u pritën nga teologu Arben Halluni dhe administratori z. Saimir Dritareti.
Gjatë takimit z. Halluni falënderoi miqtë e nderuar për kontributin e madh dhe të vyer që Drejtoria e Fondacioneve ka dhënë për restaurimin e plotë të xhamisë së Plumbit, një investim madhor dhe me vlerë historike për Myftininë e Shkodrës dhe për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i fondacionit, z. Ismet Kadioglu lajmëroi z. Halluni se në kuadër të 101 restaurimeve që ky fondacion ka zhvilluar në mbarë botën, sipas një protokolli shtetëror, me datën 8 maj 2025, të gjitha këto vepra do të inaugurohen në mbarë botën dhe në praninë virtuale dhe urimeve të Presidentit të Turqisë, Shkëlqesisë së tij, Z. Rexhep Tajjip Erdogan.
Nga ana e tij, teologu Arben Halluni falënderoi përkushtimin e Drejtorisë të Përgjithshme Shtetërore të Fondacioneve Turke si dhe firmën zbatuese për të arritur këtë ditë të gëzueshme për besimtarët dhe mbarë komunitetin.
Në lidhje me detajet e hollësishme të ceremonisë protokollare të përfundimit të punimeve për restaurimin e plotë të xhamisë së Plumbit, Myftinia Shkodër do ketë një lajmërim tjetër zyrtar.