Ditën e martë, më 24 janar 2017, Myftinia Shkodër iu bashkua solidarizimit publik të ndërmarrë një ditë më parë nga Tv1Channel, në ndihmë të familjes Muliu, në lagjen Guerrile.
I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi para mediave të pranishme se, është e domosdoshme të gjendemi përherë e më shumë pranë familjeve në nevojë, që kanë probleme e halle, në mënyrë që të dëshmojmë solidaritetin dhe humanizmin e besimit dhe qytetarisë.
Myftiu i bëri thirrje institucioneve dhe bizneseve të qytetit që të angazhohen me bamirësinë e tyre karakteristike, që të koordinohet ndihma dhe solidarizimi me familjet në nevojë në Shkodër e përtej saj.
Myftinia Shkodër i dorëzoi familjes Mulia një sasi ndihmash ushqimore dhe një ngrohës të domosdoshëm, sidomos në këto ditë të ftohta të dimrit.
Myftinia Shkodër falënderon mediat vizive, që herë pas here transmetojnë lajme solidarizuese me familje në nevojë.