Urimi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Mevludi Sherifit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2025 – 2026

Urimi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Mevludi Sherifit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2025 – 2026

Urimi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Mevludi Sherifit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2025 – 2026

Nëpërmjet minberit të xhamisë së Parrucës, ditën e shuma, më 5 shtator 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari iu drejtua besimtarëve me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

Ndër të tjera, ai theksoi se, 1500 vjet më parë kjo botë u zbukurua me ardhjen e dritshme të Hz. Muhammedit (a.s), mëshira e dhuruar, shëmbëlltyra më e lartë, njeriu me moralin më të përsosur, udhëzuesi drejt dashnisë së Allahut dhe dinjitetit njerëzor.

Myftiu theksoi se, me shembullin e tij Hz. Muhammedi (a.s) nxori shoqërinë arabe nga errësirat e një gjendjeje në injorancë drejt vlerave të larta të dijes, zhvillimit dhe përparimit njerëzor, deri në atë pikë, sa Krijuesi i gjithësisë dëshmoi për atë shoqëri besimtare: “Ishit populli më i mirë i dalë për njerëzit!”

Njëkohësisht bëri thirrje që gjithsecili prej besimtarëve e ka për detyrë të shihet në pasqyrën e Mevludit dhe të pyes, nëse shoqëria arabe para 1500 vitesh arriti të bëjë një ndryshim kaq të madh rrënjësor në sjelljen, moralin, zhvillimin dhe pozitën e saj në mesin e popujve, po shoqëria jonë që ka mbi 30 vite që ka kaluar pragun e rimëkëmbjes fetare, pas periudhës së errët të ndalimit të fesë me ligj në vendin tonë?

Myftiu bëri thirrje, që besimtarët të pyesin veten e tyre, se si e lexojnë Kur’anin, si sillen me fjalët dhe porositë e Pejgamberit (a.s), si e jetojnë fenë e tyre në marrëdhëniet e përditshme me njëri-tjetrin, në familje, në shoqëri, me tjetrin kushdo qoftë tjetri?

Gjatë kësaj hytbeja, Myftiu u lut edhe për fëmijët, prindërit dhe mësuesit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025 – 2026 dhe shprehu keqardhjen e tij, që edhe sivjet lënda e mësim-besimit nuk është pjesë e kurrikulave të arsimit shqiptar. Ai bëri thirrje që lënda e mësim-besimit duhet patjetër të jetë pjesë e arsimit shqiptar dhe theksoi se, mësimi i fëmijëve me dashninë e Zotit, me dashninë e fjalës së Tij, dashninë e vlerave dhe virtyteve të besimit është ajo që e ndryshon dhe e përmirëson sjelljen e tyre, jo kthimi i shkollave si burgje të sigurisë së lartë, rrethuar me kamera vëzhguese.

Në hytben e dytë të kësaj xhumaje, Myftiu u lut për të sëmurët, për nevojtarët dhe në veçanti për vëllezërit tanë në Gaza, të cilët përballen me një kasaphanë të vazhdueshme dhe me një barbari të pashembullt e të pa dëshmuar më parë në historinë e racës njerëzore.