Emocionet e dëshmive të H. Vehbi Danit!

Emocionet e dëshmive të H. Vehbi Danit!

Emocionet e dëshmive të H. Vehbi Danit!

Ditën e xhuma, më 7 nëntor 2025, pas namazit të iqindisë, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Plumbti një aktivitet mbresëlënës në qendër të së cilit ishte i ftuari special i këtij aktiviteti, H. Vehbi Dani, një nga personazhet emblematik të ngjarje së shënuar të 16 nëntorit 1990.

Kushdo që e ka parë me vëmendje filmin e 16 nëntorit 1990, që Myftinia Shkodër zbuloi dhe e shfaqi për herë të parë për të gjithë të interesuarit, ka vënë re një nga personazhet më të spikatur të asaj dite, pikërisht muezinin e ditës së xhuma, zëri i të cilit kumbon fort teksa thërret pas 23 vite ndërprerje të ezanit fjalët e mrekullueshme: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”.

Ishte pikërisht H. Vehbi Dani, ish nxënës i Medresesë së Tiranës, nxënës i përkushtuar i një plejade hoxhallarësh të shquar të Shkodrës si: Hfz. Sabri Koçi (asokohe imam i xhamisë së Rusit), H. Sulejman Kraja (asokohe imam i xhamisë së Dudasit), H. Qamil Tresi (asokohe imam i xhamisë së Ndocejve), prej të cilëve mësoi leximin e Kur’anit, shkrimin e arabishtes, e shumë e shumë njohuri dhe mësime me dobi rreth fesë së madhërueshme islame.

Në bashkëbisedimin e sotëm, që teologu Arben Halluni zhvilloi me mësuesin e tij të parë të gjuhës arabe dhe Kur’anit, H. Vehbi Dani, dolën në pah veçori, njohuri dhe detaje të spikatura të periudhës parandalimit të fesë në vendin tonë, pas viteve 1967 dhe emocionet e dinamika e gjerë e prag hapjes së xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990.

Nëpërmjet emocioneve që e shoqëronin këtë bashkëbisedim, i nderuar H. Vehbi Dani hodhi dritë mbi shumë detaje dhe kujtime të paharruara, që shënohen me shkronja të arta e që falin emocione të mëdha. Të gjitha së bashku mblidhen në një pikë të vetme, që kjo fe e madhërueshme islame nuk shuhet kurrë, ashtu si dielli i cili shndritë mbi gjithësi.

Në përfundim të fjalës së tij, H. Vehbi Dani dha disa këshilla me vlerë për imamët, Myftiun dhe në veçanti për rininë ku theksoi se lypset që drita e besimit të mbërrijë tek rinia, sepse një rini e udhëzuar me dritën e besimit dhe të fesë është garanci për të sotme dhe të ardhmen e atdheut, kombit dhe mbarë njerëzimit

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se aktiviteti i sotëm ishte i mbushur me emocione dhe se u ndje i rrethuar nga bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar, sidomos gjatë përmendjes së emrave të nderuar të hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, për çka falënderoi të nderuarin H. Vehbi Dani dhe i uroi atij jetë të gjatë dhe shëndet të plotë në shërbim të mësimeve dhe udhëzimit islam.

Aktivitetet me rastin e 35 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit dhe rilejimit të fesë me ligj në vendin tonë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, sipas programeve që Myftinia Shkodër ka përgatitur dhe për të cilat do të lajmëroheni në ditët në vijim.