Myftiu i Shkodrës, i ftuar i B.I.Sh. “Ebu Hanife”, në Grenchen të Zvicrës
Me ftesë të Kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare “Ebu Hanife”, në Grenchen të Zvicrës, H. Sunaj Osmani, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në një cikël aktivitetesh të organizuara gjatë periudhës 4-7/12/2025 në xhaminë “Ebu Hanife”.
Gjatë kësaj vizite në Zvicër, Myftiu i Shkodrës, pati mundësi të takohet me miq e dashamirë të aktivitetit islam në diasporë, imamë e veprimtarë të zellshëm, me të cilët ndau mendime, ide e përvoja të ndërsjellta.
Në program të vizitës së Myftiut të Shkodrës në Grenchen ishin edhe tryeza të ndryshme me grupe të rinjsh, veprimtarësh dhe drejtuesish të Bashkësisë Islame Shqiptare “Ebu Hanife”.
Ligjërata e ditës së xhuma, më 5 dhjetor 2025, ishte shfaqja e dokumentarit “Triumfi i zanit të minareve”, me çrast Myftiu foli edhe rreth lirisë së besimit dhe vlerave të shfrytëzimit të kohës në shërbim të thirrjes islame dhe edukimit të brezit të ri me mësimet, udhëzimin dhe tabanin e baballarëve.
Poashtu, Myftiu Sytari ligjëroi në tribunën fetare të ditës së shtune, më 6 dhjetor 2025, ku iu drejtua të pranishmëve të shumtë në xhaminë “Ebu Hanife” rreth një temë që ndërlidh përkushtimin e muslimanit për t’u dëshmuar si individ i shëndosh dhe ndërtues i vlerave në shoqëri, mbrojtës i traditave më të mira kombëtare, harmonisë në mesin e besimtarëve dhe njerëzve mbarë pa dallim, ruajtjen dhe promovimin e paqes sociale, kultivimin e dijes, zhvillimit dhe arritjeve në jetë, mbrojtjen e familjes tradicionale, përkushtimin për të dëshmuar në çdo moment të jetës shpirtin e madh të trashëgimisë islame me vepra dhe me këdo prej krijesave të Zotit.
Gjatë qëndrimit të tij disa ditorë në mikpritjen e BISH “Ebu Hanife” në Grenchen pati mundësi të shoh edhe mënyrën e organizimit të kësaj bashkësie islame, aktivitetin e larmishëm, tubimet, aktivitetet dhe frymën e harmonisë që dominon në mesin e besimtarëve muslimanë shqiptarë, por jo vetëm, në këtë vend.
Këtu gjeni edhe linkun e ligjëratës së ditës së xhuma:























