Kartolina..!
Orët e Ramazanit janë të shpejta. Rrjedhin më shpejt se rrjedhat e lumenjve. Akrepat e orës lëvizin ndryshe nga çdo muaj e ditë. Ndoshta se, krejt gjërat e çmuara në jetë lëvizin me shpejtësi. Shëndeti, rinia, mirëqenia, rehatia, koha e lirë, prania e të dashurve, vetë jeta… “Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?” – Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. – “Jo” – i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!”[1]
Një ditë ose gjysëm dite… Në fakt, të gjithë, në një mënyrë a një tjetër e kemi një ditë ose një gjysëm dite, që tashmë ka shkuar dhe kurrë nuk kthehet më, edhe pse do donim që të ndodhte e kundërta, por…
Më merr malli për zanin e Nanës e për imazhin që fal siguri të Gjyshit; për bishtagypin e lyer në hoken e bojës në fletën e orës së bukurshkrimit; për netët pa rrymë elektrike, por të zbukuruara me kandilat e dorës, kur përjetonim netët e Ramazanit pa dilemën e numrit të rekateve të teravisë dhe, për zërin e imamit, që thuajse çdo natë përsëriste dhjetë suret e fundit, aq sa në fund të këtij Muaji Mubarek, ishim bërë të gjithë hafizë të tyre; për praninë e Babës në shtëpi dhe zërin e tij këshillues, në kohën dhe vendin e duhur, si një bekim i papritur dhe një ndihmë e pakërkuar, por shumë e munguar; për një palë sy që të ndjekin në heshtje duke u lutur për ty, pa hile, pa zugzage, pa smirë; për një Mësues të urtë që flet e ligjëron esencën e librave dhe largpamësinë e autorëve të shkuar, si receta jete, që të nevojiten në çdo hap; për butësinë dhe përkujdesjen e Nanës, që të bekon pa fjalë e të uron me vështrimet e zemrës, aq sa mjafton për të hapur shtigjet e jetës, që asgjë dhe askush nuk mund t’i hapë, veç duasë së Saj…
Të hënën e 23 shkurtit 2026, më kishin ftuar për një iftar, më të veçantin e krejt Muajit… Iftari me jetimët, që organizonte Fondacioni “Mirësia”, ishte një ftesë, që nuk mund ta refuzoja, mbi të gjitha për nevojën time për të zbutur ashpërsinë e zemrës në këto ditë të para të Hanës së Bekuar… Një burrë iu ankua të Dërguarit të Allahut për ashpërsinë e zemrës së tij. E udhëzoi: “Fërkoje kokën e jetimit dhe ushqeje skamnorin”[2]…
E falënderova pa masë vëllain tim të zellshëm për veprat e mira në komunitet, z. Korab Kaja, si dhe imamin punëtor e të pandalshëm në tërheqjen e projekteve me dobi, z. Shkëlqim Sykaj, për organizimin dhe teksa, qëndroja bri tyre, vëreja me vëmendje fytyrat e qeshura të fëmijëve në qendër të sallës, teksa hareshëm, përjetonin momente të gëzuara të rrethuar nga ngrohtësia e të gjithëve…
Gjithandej tullumbace, që fluturonin si balona shprese, të bekuara nga duart e fëmijëve të ftuar, që në atmosferën e kësaj Nate të shënuar, po përjetonin një dritë më shumë në qëniet e tyre të brishta.., dritë Ramazani, që na fal të gjithëve, i madh e i vogël, mëshirë e butësi hyjnore, për të cilat kemi përherë nevojë, si jetimë zamani…
U ngrita të flas. Kisha shumë për të thënë e, gati-gati nuk dija nga t’ia nis. Nuk doja ta ndal zhurmën e zërave të tyre, as lojën e tullumbaceve, as vrapimin e tyre na hapësirat e sallës së madhe, ku ishim mbledhur…
Doja të thoja më shumë seç mund të përkufizohet në rreshta e, aq më pak seç mund të ndjehet realisht në atë pozitë, por… me lejen e mikut tim të mirë, që kishte ardhur nga Tirana për këtë darkë iftari, vendosa të ndaj me fëmijët, një pjesë të dhuratave, që Vakfi Turk i Jetimit, kishte përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin “Mirësia”.
O Zot, çfarë emocioni e kënaqësie të vështrosh në fytyrat e tyre, si pasqyra të ndërgjegjes, ku mund të shohësh veten e të vëresh shumë të pathëna, që je në kohë të korrigjosh…
O Zot, çfarë emocioni të fërkosh kokat e tyre, teksa zgjat dorën me një dhuratë simbolike, të mbushur me copëza zemre, që rrahin akoma dashuri e përkujdesje për jetimin e begatuar me nofkën e Pejgamberit alejhis-selam…
Kartolina…
Brenda çdo pakoje, kishte edhe një kartolinë, që ma afruan ta lexoj. Kishte një dedikim, të shoqëruar e një lutje, ku shkruhej:
“Fëmijë i dashur,
Ti je shumë i çmuar për ne.
Sot të kemi dërguar një dhuratë, me shpresën që kur ta marrësh në dorë, të të bëjë të lumtur.
Sepse kur ti je i lumtur, edhe ne jemi të lumtur. Kur fytyra jote buzëqesh, buzëqesh edhe fytyra jonë.
Mbaj edhe për ne një vend në zemrën tënde dhe na përfshi edhe në lutjet e tua!
Të duam shumë dhe do të vazhdojmë të të duam gjithmonë…
YETİM VAKFI”
Një kartolinë, që përmbledh shumëçka në pak gjë, që secili prej nesh mund të arrijmë ta realizojmë, duke gjurmuar për një jetim, duke u kujdesur për edukimin e tij, për nevojat ditore, për të mos i munguar asgjë, përtej faktit se, edhe krejt botën po t’ia japim, nuk e kompensojmë as edhe një vështrim mëshirues të të Shtrenjtit Babë, as edhe një fjalë plot bekim nga zemra e tij, as edhe një buzqëqeshje miradie nga fytyra e tij, që tashmë ka perënduar, si dielli i kësaj nate, që na bëri të gjithëve bashkë, në një përjetim të mrekullueshëm, në kornizat e një kartoline…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 shkurt 2026
[1] Kur’ani, El-Bekare: 259.
[2] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga sahabiu Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

















