Myftiu: “Agjërimi i Ramazanit, rritje shpirtërore dhe shëndet i garantuar!”

Myftiu: "Agjërimi i Ramazanit, rritje shpirtërore dhe shëndet i garantuar!"

Myftiu: “Agjërimi i Ramazanit, rritje shpirtërore dhe shëndet i garantuar!”

Ditën e xhuma, më 6 mars 2026, nëpërmjet dersit të përjavshëm, nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dha disa mesazhe me rëndësi për vlerën dhe madhështinë e muajit të Ramazanit në jetën e njerëzve.

Myftiu hodhi dritë rreth tefsirit të ajetit kur’anor: “Dhe, të agjëroni është më e mirë për ju, nëse e dini!”, ku iu referua interpretimeve të ndryshme që pasurojnë kuptimet e mrekullueshme të këtij ajeti, nëpërmjet të cilit nxitemi të mos humbi asnjë moment nga ky muaj i begatë i Ramazanit, qoftë me agjërimin e ditës, me shfrytëzimin e orëve të tij për adhurime, lutje dhe bamirësi, si dhe përfitimin nga orët e bekuara të netëve të këtij muaji plot begati.

Ndër të tjera, Myftiu iu referua edhe tefsirit të Molla Ali Hereviut (v. 1014 h.), i cili teksa komenton këtë ajet kur’anor, sjell në vëmendje të lexuesit fjalën e madhe të Imam Kushejriut (376 – 465 h.), i cili specifikon sa vijon: “Kushdo që dëshmon muajin (e Ramazanit), agjëron për Allahun; e kushdo që dëshmon Krijuesin e muajit, agjëron me Allahun.

Agjërimi për Allahun sjell shpërblimin (sevapin), ndërsa agjërimi me Allahun detyron afrimin (kurbetin). Agjërimi për Allahun është realizim i adhurimit, ndërsa agjërimi me Allahun është përmirësim i vullnetit.

Agjërimi për Allahun është cilësi e çdo adhuruesi, ndërsa agjërimi me Allahun është cilësi e çdo synuesi (që kërkon të vërtetën).

Agjërimi për Allahun është qëndrueshmëri e gjymtyrëve të jashtme sipas shprehjeve të Sheriatit (ligjit), ndërsa agjërimi me Allahun është qëndrueshmëri e brendshme (e ndërgjegjes) sipas shenjave të Hakikatit (të vërtetës absolute).

Ai që dëshmon Muajin, përmbahet (nga ushqimi e pija) në ditë të caktuara nga gjërat që e prishin agjërimin. Ndërsa ai që dëshmon të Vërtetën (Allahun), përmbahet në çdo kohë nga dëshmitë (vëmendja) ndaj krijesave…”.

Myftiu theksoi se, përtej fjalëve të çuditshme që dëgjojmë herë pas here nga njerëz jashtë botës së besimit, kulturës dhe vlerave intelektuale e qytetëruese, e vërteta e madhe është se nga lindja në perëndim, sot ka një interesim shumë të madh të njerëzve pa dallim feje për të provuar agjërimin e Ramazanit, që përveçse një mënyrë për t’u lartësuar shpirtërisht drejt Zotit të gjithësisë, për të pastruar nefsin nga lëngatat e shumta, është njëkohësisht edhe një kurë e jashtëzakonshme që përmirëson funksionim e organizmit dhe rritë cilësinë e shëndetit të njeriut, siç e pohojnë edhe mjekët e shumtë anembanë botës.

E xhumaja e datës 6 mars 2026, shënon edhe ditën e 16-të të këtij Muaji, që do të thotë se gjysma e këtij Ramazani kaloi, prandaj le të shfrytëzojmë kohën dhe mundësitë për të përfituar edhe nga pjesa e ngelur e këtij Muaji plot përfitime.