Myftinia Shkodër shtron iftar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit
Ditën e shtunë, më 7 mars 2026, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Myftinia Shkodër shtroi një iftar të veçantë në nder të mësuesve, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Në këtë sofër të begatë të iftarit morën pjesë mësues dhe drejtues institucionesh arsimore, të cilët u bashkuan në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore dhe respekti për figurën e mësuesit.
Organizimi i këtij iftari kishte për synim të theksojë rëndësinë e dijes dhe të rolit që mësuesit kanë në ndërtimin e një shoqërie të edukuar dhe të zhvilluar dhe pozitën e lartë që zë figura e mësuesit në fenë islame.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Ervil Kuçi, në çelje të iftari, pasi që i uroi mësuesit për festën e tyre, ndër të tjera u shpreh, se: Në lidhje me rastin e festës së Ditës së Mësuesit, këtë iftar e kemi konsideruar një simbolikë me vlerë në shërbim të njohjes dhe respektit për figurën e mësuesit. Duke qenë se pozita e mësuesit në fenë tonë islame ka një vend tepër të lartë, ku vetë Zoti i Gjithësisë e ka përmendur në Kur’anin Famëlartë, se: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!”, si dhe vetë Pejgamberi (a.s) na ka thënë se është dërguar mësues.
Me këtë rast, përshëndeti edhe mësuesi i nderuar z. Muamer Vuci, i cili falënderoi Myftininë Shkodër për organizimin e këtij iftari, në respekt të figurës së mësuesit, të cilët shërbyen me përkushtim të lartë në çdo skaj të vendit për mësimin dhe edukimin e brezave. Ai tha, se ky iftar shpreh edhe njëherë harmoninë fetare që karakterizon qytetin e Shkodrës, duke u mbledhur këtu së bashku mësues pa dallim feje.
Gjithashtu, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Medresesë “H. Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, i cili ndër të tjera theksoi, se: Mësuesit kanë qenë dhe mbeten drita e dijes së shoqërisë tonë. Me punën që keni bërë ju, me përkushtimin dhe dashurinë tuaj për arsimin, ju keni formuar brezat e tërë duke u dhënë atyre njohuritë e nevojshme dhe formim shkencor, por edhe edukatën, moralin dhe vlerat njerëzore.







