Sofra e iftarit të vëllazërisë me nxënësit e mejtepeve të xhamive Muriqan, Alimetaj dhe Velinaj

Sofra e iftarit të vëllazërisë me nxënësit e mejtepeve të xhamive Muriqan, Alimetaj dhe Velinaj

Sofra e iftarit të vëllazërisë me nxënësit e mejtepeve të xhamive Muriqan, Alimetaj dhe Velinaj

Në ditën e 20-të të muajit të begatë të Ramazanit, ditën e martë, më 10 mars 2026, sektori i arsimit pranë Myftinisë Shkodër organizoi një iftar vëllazëror me nxënësit e mejtepeve të xhamive Muriqan, Alimetaj dhe Velinaj.

Në këtë sofër iftari morën pjesë rreth 60 nxënës të mejtepeve, të moshave të ndryshme, së bashku me imamët dhe mësuesit e tyre: H. Ajet Sukaj, H. Lulzim Beqiri dhe H. Nebi Alia.

Të pranishëm ishte edhe drejtuesi i arsimit pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, i cili para çeljes së iftarit mbajti një fjalë të shkurtër me këshilla edukative dhe shpirtërore për nxënësit, duke theksuar rëndësinë e Ramazanit në edukimin e brezit të ri.

Më pas ai bëri edhe lutjen e çeljes së iftarit, duke uruar që ky Muaj i Begatë të sjellë mirësi, devotshmëri dhe begati për të gjithë besimtarët.

Në përfundim të iftarit u bë lutja e sofrës, ndërsa më pas të gjithë së bashku falën namazin e akshamit.

Programi i iftareve të vëllazërisë, me nxënësit e mejtepeve dhe qendrat islame të Myftinisë Shkodër, do të vijojë edhe gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit të Ramazanit, duke forcuar frymën e bashkimit, edukimit dhe dashurisë mes besimtarëve.