Në ditën e 20-të Ramazanit, Myftinia Shkodër shpërndan 105 pako ushqimore
Ditën e martë, më 10 mars 2026, në kuadër të aktiviteteve bamirëse dhe humanitare të Muajit të Begatë të Ramazanit, Myftinia Shkodër shpërndau sot 105 pako ushqimore për anëtarët e Shoqatës së Tetraplegjikëve në Shkodër. Ky aktivitet kishte për qëllim mbështetjen e familjeve në nevojë dhe të përcjellë frymën e solidaritetit dhe kujdesit për njëri-tjetrin që karakterizon këtë Muaj të bamirësisë.
Pakot ushqimore u shpërndan sot anëtarëve të Shoqatës së Tetraplegjikëve në Shkodër, me kryetar, z. Saimir Ustabeqiri, i cili me këtë rast shprehu mirënjohjen për këtë ndihmë dhe për vëmendjen e vazhdueshme që Myftinia Shkodër tregon ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
Në emër të Myftinisë Shkodër, përshëndeti teologu Ervil Kuçi, i cili theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, sidomos gjatë Muajit të Begatë të Ramazanit, duke e cilësuar këtë si një nga vlerat më të bukura të besimit dhe fesë islame.
Ky projekt ndihmash është rezultat i bashkëpunimit tashmë disa vjeçar ndërmjet Myftinisë Shkodër dhe fondacionit bamirës Helping Hand USA. Falë këtij bashkëpunimi, për këtë vit janë siguruar gjithsej 170 pako ushqimore, të cilat janë planifikuar të shpërndahen për familjet dhe shtresat në nevojë.
Myftinia Shkodër falënderon Helping Hand USA për mbështetjen e tyre disa vjeçare me projektet të ndryshme bamirëse, të cilat kanë një ndikim dhe vlerë shumë të madhe për shtresat e ndryshëm në vendin tonë.
Si përherë, Myftinia Shkodër vijon edhe gjatë këtij Ramazani të jetë pranë familjeve dhe shtresave në nevojë, duke organizuar aktivitete dhe nisma humanitare që synojnë të lehtësojnë sadopak vështirësitë e familjeve në nevojë dhe të forcojnë frymën e solidaritetit mes njëri-tjetrit.


















