Myftiu takoi imamët e zonës së Postribës
Ditën e martë, më 10 mars 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim pune imamët e zonës së Postribës, të nderuarit: H. Ardin Selhani – imam i xhamisë Kullaj, H. Agim Hoxha – imam i xhamisë Boks, H. Indrit Plangaj – imam i xhamisë Fshati i Ri, H. Ardit Ulqinaku – imam i xhamisë Milan, H. Smalj Braqi – imam i xhamisë Domën, H. Samet Mataj – imam i xhamisë Ura e Shtrenjtë, H. Fatmir Bushaj – imam i xhamisë Omaraj, H. Isa Brahimi – imam i xhamisë së kalasë së Drishtit, H. Fatmir Sulaj – imam i xhamisë Mes-Myselim, H. Ilir Dizdari, imam i xhamisë Bardhaj, me të cilët diskutoi rreth aktivitetit dhe gjallërisë së jetës fetare përgjatë Muajit të Begatë të Ramazanit.
Gjatë këtij takimi pune, Myftiu vuri theksin tek rëndësia që ka kontributi dhe roli vendimtar i imamëve për përhapjen e mesazheve udhëzuese që ruajnë tabanin dhe hedhin dritë rreth edukimit të brezit të ri me dashninë e Allahut dhe mësimet e traditave të Pejgamberit tonë (a.s).
Gjatë këtij takimi u zhvillua një bashkëbisedim i dobishëm dhe me vlerë, ku imamët e nderuar dhanë mendimet e tyre dhe përvojat personale në raport me aktivitetin e secilës xhami dhe përpjekjet e imamëve tanë të nderuar për të gjallëruar aktivitetin fetar përgjatë Muajit të Begatë të Ramazanit, si një mundësi e artë që i bashkon njerëzit në sofrat e besimit dhe i paqton realitetet tona me dritën e udhëzimit islam.
Gjatë këtij takimi u dhanë edhe disa udhëzime me vlerë në prag të Fitër Bajramit, si dhe u diskutua për çështje me interes të përbashkët në dobi të komunitetit dhe vazhdimësisë së kontributeve në shërbim të njerëzve pa dallim.



