Myftinia Shkodër ju bën me dije se ka ndërruar jetë në Austri, studiuesi i shquar islam, Mr. Muhidin Ahmeti.
Lajmi për ndërrimin jetë të teologut dhe studiuesit të mirënjohur islam Mr. Muhidin Ahmeti, mësuesit të përkushtuar të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, vaizit elokuent të xhamisë “Ebu Bekër”, publicistit dhe përkthyesit të shquar, aktivistit të afirmuar të Klubit Kulturor “Drita”, ligjëruesit të dashur për rininë dhe intelektualët muslimanë shkodranë në vitet e para të rimëkëmbjes islame, pas vitit 1990, na ka befasuar, por me dorëzim të plotë në përcaktimin e All-llahut të Madhëruar themi: “Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”
Myftinia Shkodër shpreh ngushëllimet e saj për familjen e nderuar Ahmeti, miqtë dhe kolegët në Prizren e Shkodër dhe në krejt trojet tona etnike, për ndërrimin jetë të njeriut të dashur e të shtrenjtë!
Me porosi të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 6 korrik 2018, në të gjitha xhamitë e Shkodrës do të bëhet një lutje për shpirtin e të nderuarit Mr. Muhidin Ahmeti.
All-llahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhennet për kontributet e tij në shërbim të Thirrjes Islame!