Ditën e shtunë, më 7 korrik 2018 në xhaminë Bajrakli të Prizrenit u organizua ceremonia e xhenazes së studiuesit islam dhe teologut të afirmuar, Mr. Muhidin Ahmeti, që u nda nga kjo jetë të enjten, më 5 korrik 2018 në Wels të Austrisë.
Në këtë ceremoni prezantuan besimtarë të shumtë, familjarë, kolegë, drejtues të bashkësive fetare dhe myftinive nga krejt trojet shqiptare, intelektualë dhe qytetarë të shumtë.
Një mesazh ngushëllimi për të pranishmit dhe familjarët dha edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se lajmi i ndërrimit jetë të studiuesit të shquar islam Muhidin Ahmeti, ka shkaktuar dhembje të shoqëruara me lutje për shpirtin e tij në Shkodër dhe në mbarë trojet shqiptare.
Myftiu shprehu mirënjohjen e tij dhe respektin e madh për këtë burrë të përkushtuar në shërbimet e tij ndaj Thirrjes Islame në Shkodrën e viteve të para të rimëkëmbjes së besimit pas komunizmit.
Myftiu tha se Shkodra i është mirënjohëse teologëve shqiptarë nga trojet etnike, që nuk ngurruan të vinin në Shkodër e Shqipëri pas ndryshimit të sistemit, me qëllim rimëkëmbjen islame të kombit. Këtu, ai vlerësoi kontributet e dhëna nga Mr. Muhidin Ahmeti, studiuesi Ajni Sinani, bilbili i Gostivarit Hafiz Etem Haliti dhe shumë emra të tjerë të nderuar që nuk harrohen!
Njëkohësisht lajmëroi se prej besnikërisë së medresistëve të periudhës së tij, është edhe hatmeja për shpirtin e tij, që një grup besimtarësh në ShBA kanë organizuar sot, nën drejtimin e të nderuarit Imam Didmar Faja.
Myftiu bëri edhe lutjen e rastit, pas përcjelljes së rahmetliut në varrezën e qytetit.
Në këto ngushëllime, Myftiu shoqërohej nga teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, xhami në të cilën Mr. Muhidin Ahmeti dha një kontribut të madh me ligjëratat dhe hytbet e tij.