Me mbarësinë e All-llahut, shumë shpejt përfundojnë punimet për inaugurimin e xhamisë së re në fshatin Shtoj i Ri.
Xhamia e re, e punuar me shije, është pa dyshim një kompleks i ri besimi, ku besimtarët e kësaj zone do të kenë mundësinë të kryejnë rregullisht adhurimet dhe aktivitetin e tyre fetar, duke shijuar edhe kënaqësitë e ambientit të ri.
Ditën e shtunë, më 4 qershor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga imami i xhamisë Shtoj i Ri, Abdullah Duraj, inspektoi nga afër punimet e kryera në xhaminë e re, që tashmë ka marrë formën dhe pamjen e një kompleksi të bukur dhe mjaft tërheqës islam.
Minarja e re, penxheret e zbukuruara nga dora e piktorëve të rinj, punimet e drurit, minberi dhe mihrabi, mafili i grave, klasa për kurset e mësim-besimit, abdeshania e hapur, oborri i shtruar dhe pemët frutore të mbjella përreth, i japin një bukuri të veçantë kësaj xhamie të re.
Myftinia Shkodër shpreh mirënjohjen e saj për donatorin bamirës, imamin e xhamisë, këshillin e saj, grupin e punës dhe të gjithë ata që kontribuuan për këtë vepër besimi!