– “Unë zgjodha të ndjek rrugën e Islamit, sepse nuk kam parë kurrë kaq shumë dashuri. Sepse nuk kam parë kurrë kaq shumë njerëz që përqafojnë njëri-tjetrin, që puthin njëri-tjetrin. Të falesh pesë herë në ditë. Femrat me veshje të gjata. Mënyra se si ata hanë. Mund të shkosh në cilindo shtet: “Selam alejkum. Alejkum selam”, ke një shtëpi, ke një vëlla. Zgjodha besimin islam, sepse ai me lidh dhe më afron mua…”
– “I kërkova All-llahut pasuri, më fali Islamin..!”
Fjalët e lartcituara i përkasin legjendës së boksit botëror, Muhamed Ali, i cili u nda sot nga jeta, pas një sëmundjeje të gjatë, të pashërueshme.
Realiteti i postimeve të kësaj dite në mbarë botën, më kujtoi hadithin e bukur, ku i dërguari i All-llahut (a.s) thotë: “Kur All-llahu e do një rob të Tij, i thotë Xhibrilit: “All-llahu e do filanin, duaje edhe ti” dhe, Xhibrili e do. Pastaj Xhibrili lajmëron banorët e qiellit, se All-llahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju dhe, e duan edhe ata. Pastaj vuloset me pranim në tokë!”, pra, e duan dhe e pranojnë edhe banorët e tokës!
Hadithi në fjalë, që transmetohet nga Imam Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a), u pasqyrua sot në postimet e ngushëllimeve të shumta në mbarë botën. Në gjuhë të shumta e të ndryshme, intelektualë, prijës fetarë, studiues e besimtarë, muslimanë e të krishterë, njerëz pa fund shprehën respektin dhe nderimin e tyre për personalitetin e shquar dhe karizmatik të Muhamed Aliut të madh…
Mënyra sesi e jetoi dhe e shprehu ai fenë e tij, Islamin e shekujve, plot dinjitet, plot krenari, pa ndrojtje e pa komplekse, pa frikë e pa hezitim, më kujtoi Hz. Omerin (r.a) në disa momente të jetës së tij…
Momenti i parë, ditën e emigrimit haptas, madje duke e dëshmuar Islamin e tij me zë të lartë, para turmës frikacake të kurejshitëve idhujtarë e persekutorë…
Momenti i dytë, që është edhe mesazhi, që dua të lexohet, teksa lutemi për shpirtin e Muhamed Aliut të dashur në mesin e njerëzve, është ajo shprehje e madhe, emblematike, që duhet të buçasë në ndërgjegjen e secilit prej nesh: “Ne jemi një popull që na ka krenuar All-llahu me Islam dhe, sado që ta kërkojmë krenarinë larg tij, do na poshtërojë All-llahu!”
Dhe, ne muslimanët shqiptarë, e kemi provuar mbi kurriz këtë të vërtetë të madhe dhe vazhdojmë ta provojmë, duke mos reflektuar e zënë mend, teksa fshihemi, hezitojmë, na zë ndrojtja e shpesh edhe frika, nga një kohë e një realitet, ku nuk reshtin përpjekjet për të zbehur dritën e dëshmisë: “UNË JAM MUSLIMAN DHE JAM KRENAR PËR FENË TIME!”
All-llahu e mëshiroftë Muhamed Aliun e madh dhe e pranoftë në mesin e të dashurve të Tij në jetën e përtejme! E bëftë shembullin e tij, balsam për shërimin e frikës dhe komplekseve në ndërgjegjet e sëmura! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 4 qershor 2016