Paraditën e së martës, më 2 tetor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim prezantimi z. Muamer Vuci, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe.
Gjatë këtij takimi, Myftiu dëgjoi për aktivitetin e larmishëm të kësaj shoqate, që vepron në vendin tonë që në vitin 2000 dhe që ka në thelb të punës së saj krijimin e urave lidhëse ndërmjet popullit tonë dhe atij arab në fusha të ndryshme të jetës.
Njëkohësisht, u vu në pah aktiviteti i kësaj shoqate, sidomos në njohjen me vendet arabe dhe zhvillimet e fundit që kanë kthyer një pjesë të madhe të këtyre vendeve në qendër të vëmendjes së opinionit botëror.
Myftiu e falënderoi z. Vuci për vizitën dhe theksoi se është e domosdoshme që të nxirret në pah historia e gjatë e bashkëpunimit të popujve tanë, si dhe kontributet e ndryshme të vendeve arabe në ndihmë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht pas vitit 1990.
Ai tha se krijimi i urave lidhëse dhe hapja me vendet e botës arabe ka një dobi të madhe për vendin tonë, sidomos në aspektin fetar, kulturor, ekonomik dhe përtej tyre.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rrugët e bashkëpunimit në mes Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe dhe Myftinisë Shkodër.