“Kur’ani në jetën e myslimanëve”, një mbrëmje plot vlera besimi

Ditën e mërkurë, më 13 shkurt 2019, pas faljes së namazit të akshamit në xhaminë e “Dy Vajzave”, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin me temë: “Kur’ani në jetën e myslimanëve”.

Krahas pjesëmarrjes së shumë besimtarëve, medresistëve, nxënësve të Qendrës së Hifzit të Kur’anit në Shkodër, merrnin pjesë edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Librazhdit, z. Ardit Hoxhllaku, Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, imamë të xhamive, teologë, etj.

Në hapjen e këtij aktiviteti, teologu Arben Halluni tha se kjo mbrëmje me vlera fetare e besimore ka një rëndësi të veçantë, sepse ka të bëjë me Librin e All-llahut (xh.sh.), Kur’anin Fisnik, që është garanti dhe anija e shpëtimit për çdo besimtar dhe njeri që kërkon rrugën e udhëzimit dhe të shpëtimit.

Më pas, Imam Muhamed B. Sytari ligjëroi para të pranishmëve rreth temës: “Rreth përkthimit të kuptimeve të Kur’anit Famëlartë në gjuhët e botës”, shoqëruar me ekspozitën e ngritur enkas për këtë aktivitet.

Ndërsa imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja foli rreth temës: “Kujdesi i myslimanëve ndaj Kur’anit Famëlartë”.

Nëpërmjet materialeve plot dobi, të shfaqura me videoprojektor, ai nxori në pah historikun e përkujdesjes së muslimanëve për Kur’anin Famëlartë përgjatë historisë.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Librazhdit, H. Ardit Hoxhllaku, që zhvilloi sot edhe një vizitë në Myftininë e Shkodrës.

Aktiviteti vijoi me ekspozitën e pasur, që tërhoqi vëmendjen dhe interesin e të pranishëmve, për përmbajtjen e saj.

Pas faljes së namazit të jacisë me xhemat, të pranishmit drejtuan pyetje të ndryshme në lidhje me tematikën e këtij aktiviteti plot dobi.