Me rastin e përkujtimit të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit, Myftinia Shkodër, organizoi ditën e hënë, më 1 prill 2019, në xhaminë e Medresesë një aktivitet mbi vlerën dhe madhështinë e ngjarjes së shënuar të Natës, ku u obligua falja e namazit….
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi besimtarët me rastin e përkujtimit të kësaj ngjarjeje të shënuar në jetën e të Dërguarit të All-llahut dhe mbarë ymetit islam deri në kiamet.
Myftiu këshilloi të pranishmit që të kontrollojnë marrëdhënien e tyre me Zotin e gjithësisë nëpërmjet disiplinimit me namazin.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, i cili theksoi se përkujtimi i Natës së Israsë dhe Miraxhit është një ngjarje e shënuar për mbarë besimtarët dhe përkujtimi i saj është një moment reflektimi dhe afrimi me Zotin e gjithësisë.
Në vijim, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, ligjëroi mbi vlerën dhe madhështinë e mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit, bazuar në ajettet dhe hadithet e shumta, që lidhen me këtë temë.
Me këtë rast, u promovua edhe botimi i ri me titull: “40 hadithe për mirësinë e namazit”, i cili doli në qarkullim para pak ditësh. Libri u shpërnda edhe për të pranishmit.