“Nuk di një fé tjetër, përveç Islamit, tekstet e shenjta të së cilës, t’i kenë obliguar pasuesve të saj luftën
Kushdo që sulmon objektet e adhurimit të krishterëve a të dikujt tjetër, në emër të xhihadit, në fakt ka kryer një krim të shëmtuar, sikurse ka vepruar të kundërtën e asaj që ka urdhëruar Kur’ani: “E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është i Plotfuqishëm dhe gjithnjë triumfues.” – (sureja El-Haxh: 40).”
E lexova këtë konstatim të drejtë dhe krejtësisht të saktë, nga një studiues i afirmuar bashkëkohor i fesë islame, që tha dje një të vërtetë të madhe, që lexohet tash 15 shekuj në Kur’anin Famëlartë.
Ndërsa, kushdo nga klasa politike (dhe përtej saj), bën mirë të matet shumë, e të mos bëjë deklarata të pamatura e krejtësisht të refuzuara prej nesh, kur lidh emrin e Islamit me terrorizmin!
Këto pallavra t’i marrin mbrapsht e të mos bëhen qesharakë. Shumë e thjeshtë, vetëm kaq!
Dënimi i akteve terroriste, sidomos në vendet e adhurimit të kujtdo në botë, mbetet detyrim i njerëzve të qytetëruar dhe i cilitdo, në venat e të cilit vazhdon të qarkullojë gjaku i njeriut, Njeri!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 22 prill 2019