Ditën e xhuma, më 12 korrik 2019, ndërroi jetë aktivisti i zellshëm i Myftinisë Shkodër, imami dhe edukatori i mirënjohur i zonës Ura e Shtrenjtë, H. Selim Sykaj.
Për shumë vite, ai u përkushtua në shërbim të xhamisë dhe besimtarëve, sidomos brezit të ri, me qëllim mësimin dhe edukimin me mësimet dhe udhëzimin e Kur’anit Famëlartë dhe Traditave të Hz. Muhammedit (a.s.).
Për 25 vite, ai kreu me shumë përkushtim detyrën e imamit, muezinit, hatibit dhe edukatorit fetar për dhjetra fëmijë frekuentues të rregullt të kurseve fetare të xhamisë së Urës së Shtrenjtë, deri kur u tërhoq nga shërbimet e rregullta dhe detyra, për shkak të gjendjes jo të qëndrueshme shëndetësore.
Më herët, në vitin 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, teksa shprehte vlerësimet dhe mirënjohjen e tij personale dhe të Myftinisë Shkodër për të nderuarin, H. Selim Sykja, do t’i dorëzonte imamit të përkushtuar, Certifikatën e Mirënjohjes së Myftinisë Shkodër, duke theksuar falënderimet dhe përuljen për shembullin e njerëzve të përkushtuar për fenë islame, në veçanti të H. Selim Sykja, që u dëshmua përherë i gatshëm për të shërbyer, ku ishte e nevojshme, plot fisnikëri dhe dashuri për Thirrjen Islame dhe njerëzit, pa dallim!
Myftinia Shkodër ju fton në namazin e xhenazes së zotërisë së tij, H. Selim Sykaj, ditën e shtunë, më 13 korrik 2019, ora: 11.00, te xhamia e fshatit Ura e Shtrenjtë!
All-llahu e mëshiroftë dhe e lartësoftë gradën e rahmetliut, H. Selim Sykaj, në xhennetet e Tij! Amin!