Me zemër të mirë xhaminë e re në lagjen Draçin!

Të dashur të pranishëm, motra dhe vëllezër,

Dita e sotme ka një simbolikë të veçantë për të gjithë komunitetin e muslimanëve të Shkodrës. Përurimi i xhamisë së re në lagjen Draçin, është një gëzim i madh, i shumëfishtë. Pas më shumë se gjysëm shekulli, ezani do të dëgjohet sërish në këto nahi.

Xhamia do të vazhdojë të mbajë dyert e hapura për besimtarët; banorët e lagjes, kalimtarët, vizitorët dhe këdo që e ndjen se, jeta pa dritën e besimit është një rrugëtim i gjatë në labirinthe pa dritë, ku busulla tekanjoze nuk udhëzon, ku ekuilibri lëkundet, ku nga e djathta dhe nga e majta (edhe pse duken se janë në opozitë me njëra-tjetrën, njëkohë që pa njëra-tjetrën nuk bëjnë dot), na vijnë goditje të panumërta, herë të mbështjella me zjarr e herë me mëndafsh;  ku të gjithë pa përjashtim, do të gjejnë një cak, që busullës i jep dritë, ekuilibrit qëndrueshmëri, të djathtës dhe të majtës ujin e pastrimit, shpirtit e zemrës ushqimin e mjaftueshëm e të duhur për rrugëtimet e jetës!

Të dashur të pranishëm,

Mbrëmë vonë, së bashku me Arjanin, teksa po i hidhnim një sy objektit të ndriçuar, më erdhën ndër mend peripecitë e prag-fillimit të punës për ndërtimin e kësaj xhamie të re në këtë lagje të vjetër.

M’u kujtua gatishmëria plot përkushtim e z. Ruzhdi Pecës, komshiut tonë, që jeton mbi vakëfin e vjetër, të cilit iu bë roje besnik e mbrojtës i heshtur; por që, prej kësaj dite, do ta përmendim përherë me respekt dhe do të gëzojë mirënjohjen tonë për aktin e tij fisnik, pa të cilin, sot nuk do ta kishim xhaminë e re, ose do të na shihnit duke u orvatur korridoreve të gjykatave, ku në këto 29 vite, më shumë kemi humbur se kemi fituar të drejtat legjitime të vakëfeve të zaptuara e të grabitura në xhunglën ku jetojmë!

Si një shirit i shpejtë, që të kujton momente që nuk duhen harruar, u shfaqën para syve të mi, profile me korniza drite e vlerash, pa të cilët nuk do të gëzonim këtë ditë dhe simbolikën e saj.

I falënderova me zemër, një e nga një, duke nisur me vëllanë e dashur dhe punëtorin e zellshëm për rimëkëmbjen e infrastrukturës së besimit dhe Thirrjes Islame në Shqipëri, të nderuarin z. Korab Kaja dhe krejt vëllezërit e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftinisë Shkodër, Fondacionit “Mirësia”, firmës ndërtuese, Bashkisë Shkodër, Policisë Shkodër dhe krejt ata banorë të nderuar të lagjes Draçin, që kontribuuan nga brenda dhe nga jashtë vendit për xhaminë e re, me lutjen që All-llahu i Madhëruar t’ia begatojë jetën me mirësitë dhe bekimet e Tij!

Falënderova në heshtje mirësinë e madhe të donatorëve dhe vëllezërve të shtrenjtë nga Kuvajti i bamirësisë, Kuvajti i Emirit të Humanizmit, Kuvajti i projekteve të dëshmuara bamirëse, humanitare, kulturore, shëndetësore, por jo vetëm, që anembanë botës, dhurojnë mirësi e paqe, nëpërmjet realizimit të tyre!

Vëllezër të dashur,

Sot, xhamia më e re në Shkodër hap dyert e saj. Pas pak, ezani i parë do të mbushë me emocion dhe do të ngrohë zemrat. Dalëngadalë, të rinjtë e lagjes, që gjatë këtyre ditëve i kam parë shumë të interesuar për xhaminë, gati-gati të paduruar për këtë ditë të begatë; do të kenë tashmë një prag të madh që i mban të lidhur me zemrën e Resulull-llahut (a.s.), me dritën e Kur’anit, me udhëzimin e fesë dhe urtësinë e shekujve, që na lidhin të gjithëve së bashku me madhështinë e ajetit kur’anor: “Në të vërtetë, All-llahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”.[1]

Me zemër të mirë e mbarësi xhaminë e re të lagjes Draçin!

All-llahumme zbrit mëshirën Tënde mbi banorët e kësaj lagjeje; udhëzo të devijuarin, kthe të larguarin, përmirëso të hutuarin, mbulo me dritën dhe bekimet e Thirrjes Tënde zemrat tona dhe na dhuro kurajo e forcë për të jetuar me dinjitetin e besimit dhe krenarinë e Islamit! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të xhamisë së re në lagjen Draçin)

Shkodër, më 19 korrik 2019


[1] Kur’ani, En-Nahl: 90.