Myftiu i drejtohet haxhilerëve me këshilla në prag të Arefatit

Në vazhdën e ligjëratave të dobishme nga imamë, teologë e myftilerë, që gjenden sivjet në grupin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ditën e xhuma, më 9 gusht 2019, pas namazit të akshamit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari iu drejtua haxhilerëve shqiptarë të grumbulluar në çadrat e Minasë, me një këshillë në prag të Ditës së Arefatit.

Fillimisht Myftiu uroi haxhilerët shqiptarë për mirësinë e madhe, me të cilën Zoti i gjithësisë i ka përzgjedhur këtë vit në mesin e miliarda njerëzve në mbarë botën, për të dëshmuar adhurimet e ditëve të Haxhit në vendin më të mirë, në kohën më të begatë, në shoqërinë më të përzgjedhur.

Në ligjëratën e tij, Myftiu foli mbi rëndësinë e duasë në ditën e Arefatit, si dhe edukatën e saj në shembullin e pejgamberëve të shumtë, për duanë e të cilëve dëshmojnë ajete të shumta kur’anore.

Myftiu nxiti prindët, që të falin e të bekojnë fëmijët e tyre në këtë ditë, të luten për ta e të kërkojnë nga All-llahu i Madhëruar më të mirën për fëmijët e familjen e tyre, të bindur në përgjigjen e Tij (xh.sh.).

Myftiu tha se besimtari nuk duhet të ngurrojë të kërkojë nga All-llahu për zgjidhjen e asaj që ia trazon zemrën, për kapërcimin e halleve e vështirësive, për besimin e mirëqenien, sikurse duhet të kërkojë falje, i bindur në pranimin e lutjes dhe përfshirjen e tij në mëshirën hyjnore.

Ai u lut që muslimanët të ndjejnë madhështinë e asaj që janë, të jetojnë me dinjitet e krenari, larg padrejtësisë, por duke mos toleruar injorimin e tyre, nëpërkëmbjen e izolimin në shoqëri e jetë.

Gjatë ligjëratës së kësaj nate, Myftiu u lut që dita e Arefatit të jetë një moment kthese në jetën e muslimanëve, një ditë e begatë reflektimi, adhurimi e lutjesh, që nxisin në vetvete kuptimin e drejtë të thirrjes: “Lebbejkall-llahumme lebbejke”, edhe përtej kësaj dite dhe këtij adhurimi, që plotëson 1/5 e shtyllave të fesë islame.