Më 11 gusht 2019, ditën e diel në mëngjes herët, besimtarët muslimanë shkodranë u mblodhën bri xhamisë “Ebu Bekër”, në sheshin e vakëfit të Fushë Çelës, për të falur namazin e Kurban Bajramit, i cili tashmë është bërë traditë të falet në shesh.
Në këtë ditë të gëzuar feste, Myftinia Shkodër organizon një program me ligjërata të larmishme, ku besimtarët e pranishëm, të cilët kanë mbushur sheshin plot, pasi falin së bashku namazin e sabahut, dëgjojnë imamët dhe teologët e Shkodrës.
Ceremonia e festës së Kurban Bajramit filloi me faljen e namazit të sabahut, i cili u drejtua nga teologu Adem Pizga, imam i xhamisë së Perashit dhe pastaj vazhdoi me ligjëratat e mbajtura nga imamët e nderuar: Ruzhdi Plangaj – imam i xhamisë së Kirasit, Durim Kasemi – imam i xhamisë së Parrucës dhe Arben Halluni, përgjegjës i Arsimit pranë Myftinisë.
Përmes ligjërata me vlerë, imamët dhe teologët e nderuar përçuan mesazhe dhe vlera të Islamit. Ata theksuan, se është e nevojshme, që besimtari musliman të zbatojë me korrektësi parimet dhe mësimet fetare islame, që i janë shpallur të Dërguarit të All-llahut, Muhammedi (a.s).
Falja e namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Idmir Plaku, ndërkohë hytbeja e Kurban Bajramit u mbajt nga imami tjetër i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Gilman Kazazi.
Pas përfundimit të hytbes, besimtarët e pranishëm uruan njëri-tjetrin festën e Kurban bajramit, duke lutur Zotin (xh.sh) për mirësi e begati, në dynja dhe në ahiret.