Po risjell në vëmendjen tuaj një material që pata publikuar para ca kohësh. E shoh me vend në këtë katrahurë e anarshi ku është katandisur vendi.
Afetarizmi si shkatërrim individual e shoqëror, tek Hafiz Ali Kraja…
Më tërheq jashtë mase personaliteti i Hoxhës së nderuar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1898-1974). Shkrimet e tij periodike, sidomos në revistën “Zani i Naltë”, janë objekt studimi për teologët e rinj dhe përtej tyre.
Sot, dua të ndalem tek kritika që i bën Hafiz Ali Kraja, afetarizmit, si një dëm i madh individual dhe rrezik ekstrem për shoqërinë.
Duke parë degradimin e realiteteve shqiptare, si pasojë e politikave afetare dhe islamofobe, si dhe deformimin e shumë koncepteve mbi fenë, moralin, demokracinë, lirinë, drejtësinë, paqen, harmoninë, trashëgiminë shpirtërore e kulturore etj, mendoj se fjalët e Hoxhës së nderuar, vazhdojnë të jenë akoma në koherencë me këto zhvillime për kombin dhe të ardhmen e tij!
Kjo do të thotë se detyra e muslimanëve shqiptarë karshi fesë dhe kombit të tyre është shumë më e madhe, sesa izolimi në jetën e xhamisë, fetarizmi i fjetur e i rëndomtë dhe partishmëria parazite ndaj erërave të ndryshme, që fryjnë sa andej-këndej, pa pasur paraprakisht një bosht të mirëfilltë strategjik dhe një shtyllë kurrizore identitare!
“Besimi mban rregullimin dhe harmoninë e shoqërisë njerëzore. Shoqëria paraqet një trup, pjesëtarët e të cilit janë në harmoni me atë vend ku respektohen rregullat e moralit. Në pikëpamje morale, kjo harmoni e ka burimin në përbashkësinë e ndjenjave, si fetare ashtu edhe të tjera, të personave që përbëjnë shoqërinë. Po ta heqim Besimin prej mjedisit, kjo harmoni shuhet vetvetiu.
…
Afetarizmi është një rrezik si për shoqëri ashtu për pjesëtarët e saj që janë fetarë. Besimi, pra, është gurra e cila ia bën të këndshme jetën njeriut dhe i jep atij shpresa për lumturi. Ai që është larg kësaj gurre është fatmjerë dhe sikur t’i zotërojë të gjitha mjetet materiale që i duhen në këtë jetë; ai është i mjerë se i mungojnë ndjenjat e larta morale të cilat do ta bënin atë të lumtur.
…
Afetarizmi nuk është vetëm një mjet shkatërrues për veten dhe për shoqërinë, por njëherazi edhe për familjen. Vetëm interesi e lidh afetarin me familje.
…
Se Besimi është një nevojë për shoqërinë njerëzore dhe se njerëzit pa Besim nuk mund të jetojnë në formë të shoqërisë, u tregua edhe në manifestimet tragjikomike në kohën e revolucionit të madh francez…
Me të vërtetë, atë ditë që të fiket ideja e Besimit, po atë ditë njerëzimi është plandosur në humnerë të shkatërrimit.” – (Hafiz Ali Kraja, “A duhet Feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, ribotimi i KMSh-së,Tiranë, 2010, f. 18-21. Botimi i parë, Shkodër, 1934.)
Dialogu dhe hapja me tjetrin, mund të ishte një mundësi e mirë e ballafaqimit të mendimeve, ideve, besimeve e vokacioneve të ndryshme shpirtërore e kulturore, në rrugën e qartësimit të interesave të ndershme e të shëndosha kombëtare!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 20 gusht 2019