Paraditën e së hënës, më 16 shtator 2019, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremonitë e fillim vitit të ri shkollor 2019 – 2020, në dy degët e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.
Fillimisht ai zhvilloi një vizitë në zyrën e drejtorit të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, të cilin e uroi duke u lutur për mbarësi e bekim.
Ai uroi njëkohësisht edhe stafin e medresesë së degës së djemve dhe drejtuesit e shoqatës “Istanbul”.
Myftiu tha se Medreseja e Shkodrës është një emër i madh, që na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi, sikurse është një amanet që duhet të përkujdesemi për respektimin e tij dhe përcjelljen tek brezi tjetër.
Myftiu uroi edhe djemtë e vajzat, që sot nisin vitin e ri shkollor 2019 – 2020, duke u lutur për mbarësi, bekim e rezultate të larta, që ndër vite na kanë bërë të ndjehemi krenarë!