Nëpërmjet minberit të xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, drejtoi disa mesazhe, që vijnë si reflektime rreth situatës së vështirë të termeteve të ditëve të fundit në vendin tonë.
Fillimisht Myftiu shprehu ngushëllimet e tij për krejt kombin shqiptar, për humbjen e jetëve të vëllezërve dhe motrave, që u larguan nga kjo jetë, si pasojë e tërmeteve që ranë këto ditë.
Myftiu ftoi besimtarët për të reflektuar rreth mëshirës së All-llahut për krijesat e Tij, mëshirë që ka përfshirë çdo gjë dhe që ndjehet në çdo prekje e frymë.
Ai citoi hadithin e Resulull-llahut (a.s.): “Kushdo prej jush që zgjohet i siguruar në shtëpinë dhe familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij, i pajisur me kafshatën e ditës së tij, është si të kishte krejt botën!”, nëpërmjet të cilit bëri thirrje për falënderim e përulje para duarve të Zotit, për mirësitë e panumërta me të cilat ka begatuar secilin prej nesh dhe vendin tonë!
Myftiu shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për vëllezërit shqiptarë, sidomos nga qytetet e Kosovës dhe të krejt trojeve të tjera, që dëshmuan harmoninë dhe vëllazërinë e madhe kombëtare e njerëzore, me rastin e tërmeteve.
Ai tha se, kjo dhimbje e madhe kombëtare e njerëzore, nxori në pah gjithashtu se, shqiptarët janë besimtarë, zemërmirë, solidarë e pranë njëri-tjetrit!
Ai tha se, është gjynah i madh që ky popull e ky komb, të detyrohet të largohet nga toka e tij, për shkak të keqadministrimit të pasurive të mëdha natyrore, me të cilat e ka bekuar Zoti!
Njëkohësisht bëri thirrje që njerëzit të kthehen nga Zoti, të paqtohen me Të, të pendohen e të kërkojnë mëshirën e Tij, sepse Ai është Mëshiruesi Mëshirëbërësi!
Më parë, Myftinia Shkodër lajmëroi udhëzimin e Myftiut që hytbeja e xhumasë së datës 29 nëntor 2019, t’i kushtohet kësaj situate, duke bërë thirrje për lutje e solidaritet me njerëzit në nevojë, të pastrehët dhe të lënduarit nga tërmetet.
Gjithashtu, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u fal namazi i xhenazes në mosprani për shpirtrat e vëllezërve dhe motrave që humbën jetën si pasojë e tërmeteve.