Mbrëmjen e së shtunës, më 30 nëntor 2019, në një atmosferë të mrekullueshme besimi dhe vëllazërie islame, Xhamia “Buhara” në Sulgen të Zvicrës organizoi një program fetar me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.).
Programi, që zgjati mbi tre orë, ishte i mbushur me mesazhe të forta besimi, harmonie, solidariteti e dashurie për të dërguarin e All-llahut (xh.sh.).
Një mesazh i ngrohtë e plot emocion ishte edhe ai i Hoxhës Amet Memeti, imam i xhamisë “Buhara”, i cili vuri theksin tek rëndësia që ka nxitja dhe përhapja e dashnisë për Resulull-llahun (a.s.) në jetën e muslimanit.
Ai lexoi edhe disa nga vargjet e bukura të Burdes së Imam Busirit, vargje që lexohen përherë me shumë emocion e nderim për më të mirin e krijesave të Zotit.
Hoxha i nderuar u lut edhe për viktimat e tërmeteve të Shqipërisë dhe theksoi se dhimbja e shkaktuar nga tërmetet e ditëve të fundit na ka prekur të gjithëve dhe krejt jemi të ftuar të solidarizohemi e të ndihmojmë me sa të kemi mundësi.
I ftuar special i këtij Mevludi ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili mbajti një ligjëratë mbi rëndësinë e tubimeve të Mevludit Sherifë, vlerën e madhe që kanë këto tubime të Thirrjes Islame dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së këtyre traditave të dobishme islame, që mbajnë të gjallë përkujtimin e Hz. Muhammedit (a.s.).
Myftiu tha se: “Sfida e jonë është angazhimi për të dëshmuar botërisht se jemi ymeti i tij (a.s.), me mëshirën tonë për krijesat e Zotit, me humanizmin tonë duke dashur për tjetrin atë që duam për veten tonë, me modestinë tonë, me vullnetin për të bërë mirë e për të mbjellur mirësi e paqe kudo e me këdo!
Sfida e jonë është leximi i drejtë dhe me urtësi i teksteve të urta të Resulull-llahut (a.s.), duke i kuptuar si duhet, duke u përpjekur për t’i kthyer në natyrë të qëndrueshme e shembull, që lexohet në sjelljen tonë edhe nga të tjerët, duke mos paragjykuar e mos përbuzur njeri, kushdo qoftë ai.
Pyete veten: A e njoh unë Resulull-llahun (a.s.), shembullin e tij, moralin dhe mëshirën e tij? A jam unë pasuses i sinqertë i traditave të tij, apo tekanjoz në përzgjedhjen e asaj që vjen nga i Dërguari (a.s.), për të cilën, Zoti i gjithësisë ka urdhëruar: “Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë All-llahun”.
Sot, secili prej nesh është i ftuar të bëhet pjesë e kësaj thirrjeje të begatë islame; të shkojë pas të Dërguarit të All-llahut, thirrja e të cilit ishte e mbushur plot mëshirë e humanizëm, plot drejtësi e tolerancë, plot dritë e dije, plot nxitje për përparim dhe lutje për ata që sjellin risi të dobishme për shoqërinë!
Sot, nëpërmjet tubimeve të paqta të përkujtimit të Resulull-llahut (a.s), na jepet mundësia për të thirrur me zemër: UDHËZIMI YT, RRUGA IME..!”.
Aktivitetin e përshëndeti edhe imami i xhamisë së qytetit Wil, H. Bekim Alimi, njëkohësisht kryetar i DIGO (Federata e Muslimanëve në Zvicrën Lindore).
Kjo mbrëmje e begatë u pasurua edhe nga ilahitë dhe leximet e ajeteve të ndryshme kur’anore nga H. Daut Lezi dhe H. Muhsin Sulejman, paraqitja e të cilëve dhuroi emocione të paharrueshme.