Paraditën e së enjtes, më 20 shkurt 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, takoi imamët e Myftinisë Shkodër, me të cilët diskutoi mbi aktivitetin në prag të Tre Muajve të Mirë, ecurinë e jetës fetare në Shkodër, në atmosferën e 30 vjetorit të rilejmit të fesë me ligj, përhapjes së mesazheve islame në mesin e besimtarëve, etj.
Fillimisht, Myftiu përshëndeti përpjekjet dhe sakrificat e imamëve të nderuar për të mbajtur me përgjegjësi e dinjitet amanetin e Thirrjes Islame në Shkodër, duke përhapur ditë pas dite mesazhet e besimit, shpresës dhe duke u bërë nxitës të rizgjimit të muslimanëve në këtë vend.
Gjatë këtij takimi u dhanë udhëzime që lidhen me gjallërinë e jetës fetare, sidomos në prag të Tre Muajve të Mirë, për të cilët Myftiu kërkoi që ligjërimet e kësaj periudhe të përqendrohen tek nevoja e pendimit të sinqertë, përgatitjes për Muajin Ramazan, kthimit nga Kur’ani dhe udhëzimet e tij, forcimi i lidhjeve familjare, edukimi i rinisë, përhapja e shpresës dhe e frymës së harmonisë në mesin e muslimanëve.
U diskutua edhe për aktivitetet arsimore, kulturore dhe ato që lidhen me sektorin e rinisë. Poashtu, u dhanë udhëzimet e duhura që kanë të bëjnë me abonimet vjetore në shtypin islam, si dhe u pasqyrua aktiviteti që lidhet me ndërtimin e xhamive të reja dhe rikonstruksioni i xhamive që kanë nevojë për ndërhyrje.