Paraditën e enjte, më 9 korrik 2020, përfaqësues të Myftinisë Shkodër panë nga afër punimet që po bëhen për ndërtimin e shtëpisë së re për familjen e z. Besim Salo Milani. Kjo nismë e mirë dhe ky kontribut i çmuar, vjen si rezultat i rinisë së lagjes Milan, Postribë, të cilët po japin shembullin më të mirë të veprave më të dashura tek All-llahu, ajo e ndihmesës dhe gëzimit të një familjeje në nevojë.
Familja e Besimit, i cili vuan edhe prej problemeve shëndetësore dhe që përbëhet nga shtatë anëtarë, aktualisht jeton në kushte të mjerueshme në një shtëpi të vjetër dhe pothuajse të pabanueshme.
Myftinia Shkodër falënderon, ata të cilët e filluan këtë nismë, por edhe angazhimin e koordinatorit të këtij projekti bamirës, z. Zamir Milani, dhe njëkohësisht bën thirrje bamirësve të ndryshëm të kontribuojnë për përfundimin e kësaj shtëpie të re, punimet e së cilës kanë nevojë për mbështetje, në mënyrë që kjo familje të jetojë në kushte dinjitoze si gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi.