Myftiu i Shkodrës bën apel për respekt dhe përkujdesje maksimale ndaj prindërve

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në një  mesazh të tij më 24 nëntor 2020, në oborrin e xhamisë së madhe, “Ebu Bekër”, gjatë faljes së xhenazes së babait të tij, haxhi Bardhyl Sytari, i cili ndërroi jetë për shkak të infektimit nga Covid-19, dha mesazhe të rëndësishme dhe me vlerë për respektin dhe përkujdesjen ndaj prindërve, të cilët sipas tij janë dërguar si mëshirë prej Zotit në këtë tokë e në këtë jetë.

Myftiu theksoi, se: “…Ne kemi nevojë për t’ia rikujtuar njeri tjetrit hakun e madh që ka njeriu në jetë. Nuk ka dhimbje më të madhe kur ti ndahesh prej prindërit, sepse ajo është shenjë e dëshmisë së mëshirës së Allahut (xh.sh). Ne jemi njerëz dhe pikërisht për këtë Pejgamberi (a.s) na ka mësuar se në momente të tilla: ‘Zemra ndjen dhimbje dhe syri loton’, mirëpo, ne nuk themi tjetër, vetëm atë që Zoti e pëlqen: ‘Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi’. Ne kemi nevojë që me pas në beben e syrit prindërit tanë, nëse duam që të jemi shoqëri me taban dhe shoqëri me vlera. Nuk duhet me e lanë pas dore prindërit. Ne duhet me na dhimb zemra kur dëgjojmë përmes medieve se prindërit këtu apo atje, dikush ka nxjerrë prindërit në rrugë, dikush ia ka mbyllë derën, dikush i ka thënë ndonjë fjalë të keqe e dikush ia gërmush prindërit… Nuk është në natyrën e vlerave të njeriut fisnik me keqtrajtuar prindërit…”.

Ndërkaq, Myftiu i Shkodrës vuri në dukje se sa rëndësi ka respekti dhe përkujdesja ndaj nënës dhe babës sa që Kur’ani Famëlartë, pas adhurimit të Zotit, ka urdhëurar respektin ndaj prindërve:

“…Pas adhurimit ndaj Allahut kemi respektin dhe nderimin ndaj prindërve në këtë jetë. E nëse nuk i respektojmë prindërit sa i kemi dhe nëse nuk interesohemi për rehatinë, dashurinë e harmoninë e zemrës së prindërve tonë sa i kemi gjallë, çfarë brezash jemi ne për ata që do të vijnë e çfarë shoqërie do jemi dhe si do të jenë fëmijët me ne. Prindërit i kemi të shenjtë dhe mbi çdo njeri në botë. Gjithë bota është në një krah, ndërsa baba dhe nëna janë në një krah tjetër…”.