Paraditën e së enjtes, më 25 shkurt 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nisi takimet me imamët e Myftinisë Shkodër, ku ditën e sotme takoi imamët e qytetit, me të cilët diskutoi rreth atmosferës së Tre Muajve të Mirë 1442.
Myftiu dha disa udhëzime që lidhen me angazhimet e përbashkëta në shërbim të komunitetit dhe xhamive të Shkodrës.
Ai theksoi se kjo periudhë karakterizohet nga përpjekja për të nxitur dhe ftuar besimtarët drejt kthimit me pendim e lutje drejt Zotit të gjithësisë, duke kërkuar nga Allahu i Madhëruar mëshirë e falje, mbarësi e begati në jetë.
Myftiu diskutoi me imamët e nderuar të qytetit edhe mbi ruajtjen e traditave të vyera shekullore islame, si dhe përpjekjet për ruajtjen e frymës së vëllazërisë islame dhe asaj kombëtare në kushtet e reja të imponuara nga situata e re globale.