Mesazh i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari drejtuar pushtetarëve vendorë dhe qendrorë

Ditën e xhuma, më 27 gusht 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, ndër të tjera, iu drejtua besimtarëve të pranishëm në xhami, por edhe atyre që e ndjekin përmes rrjeteve sociale dhe mediave lokale me një mesazh të rëndësishëm rreth situatës dhe gjendjes së rënduar të infrastrukturës së vendit dhe probleme të ndryshme, që qytetarët kanë çdo ditë.

Në përfundim të hytbes, ai u shpreh kështu:

“Të dashurit e mi!

Përpara se të zbres nga minberi kam një mesazh, kam një falënderim, një lutje, por kam edhe një tërheqje vëmendjeje.

M’u kujtua gjatë këtyre ditëve në disa prej udhëtimeve jo të largëta, më e pakta Tiranë-Shkodër vajtje-ardhje, që gjithsejt të shkon rreth 7 orë, m’u kujtua Hz. Omeri (r.a), i cili një ditë prej ditëve të pushtetit të tij të lavdishëm, u pa duke qarë dhe e pyetën se përse po qante! – “Më shkon ndër mend se mos ndoshta nuk e kemi shtruar rrugën e dhive diku atje larg në Irak dhe ndonjëra prej tyre duke ecur, mund ti thyhet këmba. Dhe do më pyesë Allahu në Ditën e Gjykimit për hakun e dhive”!

Kjo është një ftesë për kryeministrin e vendit tim, për ministrat e vendit tim, për deputetët e Shkodrës, për drejtuesit e ndryshëm të Shkodrës, që edhe pse jemi në vitin 2021, nuk kemi një rrugë normale për të shkuar drejt kryeqytetit apo për të ardhur dikush nga kryeqyteti në kryeqendrën e veriut. Kjo është e pafalshme, të dashurit e mi!

Njëkohësisht e nisa këtë mesazh, sepse dua në fakt të falënderoj policët e trafikut, që shumë prej tyre i kemi shokë e vëllezër, që rrinë në këtë vapë të gushtit, në verë e në shi duke komanduar një trafik të çmendur, por që në fakt nuk është çmenduria e njerëzve, por është ajo çfarë ne e shohim me dhimbje gjatë këtyre viteve, një neglizhencë e theksuar për të investuar për këtë qytet dhe për të mirën e njerëzve.

Ku i kemi deputetët e opozitës dhe ku i kemi deputetët e pozitës, madje edhe në xhami mund të jetë ndonjëri prej tyre. Nuk është meseleja për të kritikuar apo për të gjuajtur me shigjetë, jo! Kjo është thirrja e Myftiut të Shkodrës, e një imami, e një besimtari dhe e një qytetari të thjeshtë për të mirën e kësaj toke dhe të këtij vendi!

Kanë kaluar 31 vite dhe ne mburremi me gjëra që nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë lloj dobie as për shoqërinë, as për vendin, për të na njohur dikush se kemi thënë këtë apo atë. Realitetet e vendit janë këto!

Nëse dilni tani nga Parruca deri në fund të Xhabijes, apo nga këtu ku jemi deri në Rus, do shihni rrugë që nuk i sheh as në vendet më të prapambetura të globit. Pse të dashurit e mi?

Nuk i ka borxh kjo shoqëri dhe këta njerëz askujt prej tarafeve të politikës së këtij vendi, të dëgjojë deklaratat e çoroditura kundër njëri-tjetrit. Këto mbajini për vete të dashur drejtues të këtij vendi dhe zgjidhini mes vete. Njerëzve, të cilët ju kanë votuar për të drejtuar këtë vend, duhen ofruar shërbime për të mirën e jetës së tyre.

Para pak ditëve desh përplaseshim me ambulancën diku në rrugë, jo për fajin tonë as për fajin e shoferit të ambulancës, por sepse nuk ka rrugë për të lëvizur. Po ashtu zjarrfikësja, e makina të ndryshme, motorra, biçikleta e këmbësorë të hutuar.

Viti 2021 dhe themi se ka dekada që kemi dalë nga komunizmi, ndërkohë që ka vende që kanë qenë në mjerim të thellë, dhe në më pak vite sesa vitet e post-komunizmit tonë janë bërë ndër vendet më luksoze të botës.

Allahu e bëftë mirë dhe i zgjoftë nga gjumi i hutisë ata që kanë në dorë për të bërë diçka dhe nuk e bëjnë. I zgjoftë nga gjumi i hutisë dhe i marrakotjes edhe njerëzit vetë që kanë në dorë për të bërë shumë, por i kanë bërë të jenë neglizhent ndaj hakut të tyre.

Haku i gjithsecilit prej nesh, në momente të tilla, është të themi një fjalë të mirë, duke iu lutur Allahut (xh.sh) për të na bërë të gjithëve çelësa të së mirës dhe drynj të së keqes për të mirën e kësaj toke, e të kësaj shoqërie!”

(Pjesë e shkëputur nga hytbeja e xhumasë, e mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
më 27 gusht 2021, në xhaminë e “Dy Vajzave”)

Hytbeja e plotë: