Paraditën e së shtunës, më 23 tetor 2021, në kuadër të ciklit të trajnimeve që organizon Myftinia Shkodër me imamët e saj, u zhvillua edhe takimi i 9-të, ku i ftuar ishte studiuesi i shquar nga Tirana, prof. Xhemal Balla.
Në krye të herës, teologu Lavdrim Hamja theksoi se i ftuari i sotëm është një ndër emrat më të spikatur të këtyre 30 viteve, që ka dhënë një kontribut të madh për bashkësinë muslimane shqiptare, nëpërmjet drejtimit në arsim dhe botimeve të shumta e plot dobi.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi prof. Xhemal Ballën për përgjigjen e ftesës, tha se prania e zotërisë së tij në mesin e imamëve shkodranë është pa dyshim edhe një mundësi më shumë për të përfituar nga dija dhe përvoja e gjatë e studiuesit të shquar të veprave të hoxhallarëve të shkuar të vendit, si dhe një simbolikë e lidhjes me brezin e shkuar dhe gjurmët e tyre.
Ndërkohë, në fjalën e tij para të pranishëmve, prof. Xhemal Balla theksoi se 87 vitet që mban mbi supe e lidhin përherë e më shumë e kohën e hoxhallarëve të shquar shqiptarë, ku veçohet Hafiz Ibrahim Dalliu, shkollës së të cilit edhe i përket.
Ai hodhi dritë mbi jetën dhe veprën e Hafiz Dalliut, sikurse theksoi se kolana prej 10 vëllimesh me titull: “Njeriu dhe Kurani”, është pjesë e punës së palodhur disavjeçare të studiuesit Balla, për të nxjerrë në pah vështrimet e Hafiz Dalliut në rrobë bashkëkohore.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, sikurse u zhvillua edhe një bashkëbisedim me të ftuarin, rreth aktivitetit dhe nxitjes së thirrësve islamë drejt punës shkencore.