I ftuar i radhës i emisionit “Tonight” në Star Plus Tv ka qenë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ka folur në lidhje me simbolikën e kësaj ngjarjeje për të gjithë besimtarët myslimanë.
Myftiu tha që periudha e Mevludit është një periudhë shumë e begatë për myslimanët në botë: “Për myslimanët dhe bashkësitë islame kudo qofshin në botë, natyrshëm se lindja e Pejgamberit tonë (a.s), është një ngazëllim dhe një gëzim i madh për të gjithë botët, sepse ai është dërguar mëshirë për të gjitha botët, çka do të thotë se përtej faktit nëse u gëzuan apo nuk gëzuan, e njohën apo nuk e njohën, qenë të vëmendshëm apo neglizhentë njerëzit, nga myslimanët apo jomyslimanët në këtë ngjarje të madhe, them me plot bindje se vendet e botës gëzohen në këtë ditë, në këtë muaj dhe në këtë atmosferë të lindjes së Profetit tonë të dashur, Muhamed (a.s)”.
Në vijim, Myftiu tha: “Që të gjitha institucionet islame kudo në botë përgatiten dhe organizojnë aktivitete të ndryshme me qëllim që njerëzit të njoftohen për jetën dhe veprën e ndritur të Dërguarit të Zotit, Hz. Muhammedit, i cili ishte hallka e fundit e zinxhirit të profetëve të mëparshëm dhe që njihet dhe përmendet në librat origjinal hyjnorë, përtej Kuranit Famëlartë”.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj bisede nën drejtimin e gazetarit të njohur, Erzen Koperaj ka qenë edhe ruatja e traditës së Mevludit Sherifë, e cila çdo vit kujtohet përmes aktiviteteve të ndryshme në xhami, përmes seminareve, takimeve me të rinjtë, etj.
Sipas, Myftiut këndimi i Mevludit është një traditë kombëtare: “është pjesë e një traditë shumëshekullore e myslimanëve, e cila bazohet në urdhëresat kuranore dhe në traditën profetike dhe në shembullin e sahabëve të Pejgamberit (a.s) që i kanë kënduar në prani të tij dhe Resulullahu është kënaqur dhe gëzuar, duke i thurrur vargje, duke i kënduar dashnisë së tij. Prandaj ruatja e përkujtimit të Mevludit Sherifë është një obligim fetar dhe moral, por mbi të gjitha një obligim kombëtar”.
Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari dha edhe disa mesazhe dhe këshilla të vyera për teleshikuesit dhe për të gjithë besimtarët që të jenë të bashkuar njeri me tjetrin, të punojnë me sa të kenë nundësi për të jetuar me dinjitet, të nderojnë dhe të respektojnë tjetrin, mbi bazat e udhëzimit hyjnor.