Tekbiri mbuloi Shkodrën në një ditë të dëshmuar

Ditën e hënë, më 12 shtator 2016, që herët në mëngjes, xhamitë e Shkodrës janë nisën të gjallërohen me tekbiret e mijëra besimtarëve, të cilët kishin tejmbushur xhamitë me praninë e tyre, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit të Madhëruar, për të kryer faljen e namazit të sahabut, së bashku me faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Kjo ditë e bekuar, që e ka zanafillën prej nga babai i të profetëve, Ibrahimi (a.s), vjen si përkujtim i bukur i kësaj sakrifice, që robi bën për Krijuesin e tij, Zotin e gjithë botëve.

Pa dyshim, që festa e Kurban Bajramit është edhe solidaritet dhe gëzim që i bashkohet mijëra e miliona haxhilerëve anekënd botës, të cilët kanë shkuar për të kryer një nga shtyllat kryesore të Islamit, obligimin e Haxhit.

Myslimanë nga e gjithë bota, pa dallim ngjyre dhe race, kombësie dhe gjinie, me bindje dhe besimin e plotë, i janë përgjigjur thirrjes së Zotit të Madhëruar, duke thënë: “Lebbejke Allahumme Lebbejke” (Tu përgjigja Ty o Zoti im, tu përgjigja).

Për efekt të motit të paqëndrueshëm, ceremonitë zyrtare u zhvilluan në dy xhamitë kryesore të qytetit të Shkodrës, përkatësisht në xhaminë “Ebu Bekër”, nën drejtimin e teologut Lavdrim Hamja dhe imamit të kësaj xhamie, teologut Idmir Plaku. Ata kanë folur për rëndësinë besimit, se përse duhet që njeriu të besojë dhe veçanërisht për simboliken e kësaj dite të sakrificës, ditës së Kurban Bajramit.

Namazi i sabahut në xhaminë “Ebu Bekr” u fal nën drejtimin e imamit Lavdrim Hamja, ndërsa namazin e Kurban Bajramit dhe hytben e tij, e kreu imam Idmir Plaku.

Ndërkohë në xhaminë e Parrucës, këtë ceremoni e drejtonin teologu Arben Halluni dhe imami i kësaj xhamie, Naim Drijaj. Përmes ligjëratave të tyre, dy teologët kanë hedhur dritë rreth parimeve dhe mësimeve të Islamit, si fé e paqes, harmonisë, tolerancës, bashkëpunimit, dijes dhe e çdo cilësie tjetër fisnike.

Në xhaminë e Parrucës namazi i sabahut u fal nën drejtimin e imamit Naim Drijaj, i cili gjithashtu kreu edhe hytben e Kurban Bajramit, ndërsa namazin e Kurban Bajramit e fali teologu Arben Halluni.

Gjithashtu Imamët kanë falënderuar besimtarët për kontributet e tyre, për ndihmën ndaj nevojtarëve dhe të varfërve dhe angazhimin për të përmirësuar ditë pas dite shfaqjen e tyre në shoqëri, si themel i saj.

Edhe në të gjitha xhamitë e tjera të Shkodrës, ceremonitë e Kurban Bajramit u zhvilluan rregullisht, duke dëshmuar mirësitë dhe begatitë e kësaj dite të madhe, feste dhe adhurimi.

Me përshëndetjet më të ngrohta, me lutje dhe duá për njëri-tjetirn dhe me tekbire të shumta, besimtarët janë uruar në mes vete duke marrë kënaqësinë dhe mirësinë e kësaj dite të begatë.