Në xhaminë “Ebu Bekër” u zhvillua ceremonia e mbylljes së Kursit Veror “Buz’qesh”

Ditën e xhuma, më 22 korrik 2022 në ambientet e xhamisë “Ebu Bekër”, përmes një ceremonie u bë mbyllja e kursit veror intensiv, “Buz’qesh”, i organizuar nga Myftinia Shkodër.

Fillimisht, drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni falënderoi bashkëpunimin e vyer të teologes Zamira Bushati për koordinimin e kësaj platforme të re në edukimin e fëmijëve me dashurinë ndaj Krijuesit të gjithësisë, mësueset psikologe, znj. Admira Guri dhe znj. Almeda Tusha, për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur gjatë gjithë procesit mësimor të kursit, si dhe prindërit të cilët dërguan fëmijët e tyre në këto programe me karakter edukativ dhe zbavitës.

Gjatë kësaj ceremoni fëmijëve iu shpërndanë dhurata dhe për më të mirët në pjesëmarrje certifikata vlerësimi.

Në fund, mësueset së bashku më fëmijët i dhuruan teologut Arben Halluni një dhuratë simbolike në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe angazhimin e tij në mbarëvajtjen e këtij kursi veror.

Kujtojmë, se gjatë kursit veror, që zgjati plot 5 javë dhe që u mbajt në qendrën kulturore të Myftinisë Shkodër në Zdrale, si dhe në mjediset e jashtme dhe të brendshme të xhamisë “Ebu Bekër”, janë zhvilluar veprimtari kulturore, pikniqe, lojëra kreative përmes artit, etj.

“Buz’qesh” ishte një strukturë dhe mision në vetvete, i ndërtuar duke marrë në konsideratë nevojat e fëmijëve në një fazë të rëndësishme të zhvillimit. Përkrah lojës, është ndërthurur në natyrshmërinë e këtyre shpirtrave të bukur, edhe kuptimi i emrave të Zotit.

Përmes njohjes së këtyre të fundit, bota e brendshme e tyre plotësohet dhe orientohet në harmoni drejt qëllimit të krijimit. Me ndihmën e Zotit kjo dije do të ketë vazhdimësi.