Një natë e paharrueshme në St.Gallen

Një natë e paharrueshme në St.Gallen

Më 11 shkurt 2023, e shtunë, Bashkësia Islame “El-Hidaje” në St. Gallen, organizoi tribunën fetare kuashtuar iniciativës për ndërtimin e xhamisë së re në qytet.

Në këtë mbrëmje morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Kroacia, imamë, kryetarë, anëtarë e përfaqësues të xhamive në Zvicër dhe xhematë të shumtë.

Kjo tribunë, përpos që kishte karakter fetar, ishte edhe informative, me ç’rast u shpalosën rezultatet e derimëtanishme në lidhje me zhvillimet për ndërtimin e xhamisë së re në qytet. Xhemati dhe mysafirët u informuan për blerjen e parcelës, konkursin e projekteve ideore për xhaminë e re, si dhe u bë shpallja e projektit fitues.

Të pranishmit i përshëndeti dhe iu dëshiroi mirëseardhje, imami i xhamisë, Mehas ef. Alija dhe kryetari i saj, Sadush Ajrullai, i cili i njohu për rrjedhat e inciativës për xhaminë e re.

Fjalë rasti patën kryetari i DIGO-s, Yakup Gürgun, drejtori për diasporën pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, si dhe myftiu i Shkodrës, Muhamed ef. Sytari.

Për pjesët artistike, kuranore dhe të ilahive, u kujdesën Hafiz Aziz Alili dhe imami i xhamisë së “Aja Sofijes” në Stamboll, hfz. Bynjamin Topçuoglu, si dhe hoxha nga Kumanova, Ismet ef. Selimi. Gjithashtu, të pranishmit patën mundësi të ndjekin edhe një program të shkurtër artistik nga nxënësit e Mektebit të xhamisë El-Hidaje.

Një kontribut të vyeshëm dhanë edhe hoxhallarë dhe kryesi të xhamive përreth, të shoqëruar edhe me xhematlinjë të tjerë, sidomos kontribut të veçantë dhanë imamët dhe kryetarët e xhamive të Wilit, Sulgenit, Frauenfeldit, Glarusit, Reinachut dhe Grenchenit, të cilët ishin edhe pjesë e panelit të diskutimit.

Befasi e bukur e kësaj tribune ishte edhe pranimi i Islamit, përpara një mase të madhe njerëzish, nga dy të rinj të lindur dhe të rritur në Zvicër.

Pjesa e fundit e programit iu kushtua tubimit të mjeteve financiare për xhaminë e re, me ç’rast u tubuan rreth 300’000 CHF.

Gjatë pauzës pjesëmarrësit patën mundësi që të shijojnë edhe disa gjëra ushqimore dhe ëmbëlsira tradicionale të përgatitur nga kryesia dhe xhemati i xhamisë El-Hidaje.

Në fund, imami i xhamisë dhe moderatorja, znj. Behare Mustafi, falënderuan mysafirët e programit, pjesëmarrësit, xhematin, aktivistët, sponsorët, donatorët, kryesinë e xhamisë, si dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan dhe dhanë kontributin e tyre që mbrëmja të shkojë sipas agjendës së planifikuar.

(marrë nga në Facebook nga profili i xhamisë Xhamia El-Hidaje në St. Gallen)