Përkujtohet historia e lavdishme e mbrojtjes së Shkodrës, 1912-1913

Paraditën e së martës, më 2 shkurt 2017, Myftinia Shkodër organizoi një tryezë shkencore në memorie të luftës heroike për mbrojtjen e Shkodrës nga rrethimi serbo-malazez, 1912-1913 dhe roli i madh i Komandantin legjendar, Hasan Riza Pasha.

Referatin kryesor e mbajti historiani i mirënjohur, prof. dr. Bajram Xhafa, i cili paraqiti para të pranishëmve një tabllo të ngjarjeve kryesore gjatë ditëve të rrethimit disa mujor të Shkodrës nga forcat serbo-malazeze, si dhe trimëritë dhe qëndresën burrërore të qytetarëve shkodranë nën komandën e Hasan Rizasë.

Historiani i nderuar vuri theksin te disa momente kyçe të kësaj periudhe, sikurse theksoi se akoma sot, kjo qëndresë heroike e popullit shqiptar ndaj një agresioni barbar, mbahet në heshtje, madje është transformuar si histori.

Ai solli në vëmendje të pranishëmve kronikat e shkruara të kohës nga të huajt, që dëshmojnë më së miri të vërtetat e qarta të kësaj lufte heroike të shkodranëve të rrethuar në këtë kohë.

Diskutuan edhe H. Fejzi Zaganjori, prof. Ferit Hafizi, i cili ka përkthyer ditarin e znj. Hortense von Zambaur, gruaja e konsullit austriak në Shkodër gjatë periudhës së rrethimit, si dhe librin e Edith Durhamit mbi rrethimin e Shkodrës.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, si dhe Kryetari i Shoqatës “Ana e Malit”, z. Ruzhdi Poda.

Gjatë kësaj tryeze shkencore u theksua se duhen shtuar tubime dhe aktivitete të tilla që mbajnë të gjallë kujtimin e të parëve dhe forcojnë ndjenjën kombëtare në mesin e qytetarëve të Shkodrës.