Lutje masive për pendim dhe falje në të gjitha xhamitë e Shkodrës

Sikurse u lajmërua edhe më parë, ditën e xhuma, më 11 gusht 2017, në të gjitha xhamitë e Shkodrës tema e hytbes së kësaj jave u përqendrua tek aktualiteti dhe realitetet e përditshme shqiptare, ku përhapja e veseve, harameve dhe imoralitetit përbën një shqetësim të madh.

Nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed B. Sytari dha një mesazh publik drejtuar krejt qytetarëve, për t’u kthyer nga besimi dhe feja, për të hapur një faqe të re në marrëdhënie me Zotin.

“Hapni sytë dhe pendohuni, kthehuni nga Zoti me një pendim të pakthyeshëm dhe deklaroni paqtimin me Zotin e botrave, për të dëshmuar kthimin e begatisë, qetësisë, sigurisë, mirëqenies e harmonisë në mes nesh!

Po humbet besimi në Zot, frika e Tij! Po kthehet e keqja në moral dhe morali në prapambejtje! Po paragjykohen bijat tona për hixhabin e besimit dhe djemtë tanë për ruajtjen e nderit dhe distancimin nga haramet dhe ndalesat e shumta, që sot shiten si liri e nevojë e kohës!

Po nëpërkëmbet Zoti, feja dhe prindi! Po mohohet Zoti dhe po kërkohet të heshten minaret e besimit! Po vriten nana dhe baba, po mbytet gruaja dhe fëmija, po bekohet shthurrja dhe devijimi në emër të vlerave evropiane! Vlerat tona ne i peshojmë me Kur’an dhe me udhëzimet e Hz. Muhammedit (a.s); po peshuan, mirë se të vijnë, e nëse jo, nuk hyjnë në sytë tanë, as duhet të lejohet përhapja e tyre në mes nesh! Vlerat i çmojmë me peshoren e besimit tonë, jo çfarë na jepet si kuti e dyllosur që duhet pranuar symbyllur!

Zgjohuni dhe hapni sytë! Mos lejoni që mbetjet e të tjerëve të na shiten për pasuri e nder! Mos lejoni që fëmijët t’jua marrin për duarsh e t’jua konvertojnë në djaj të vegjël, që nesër do ta shkatërrojnë Shqipërinë, më shumë se ç’është shkatërruar e sfilitur!
Ne jemi muslimanë; e kemi të shenjtë fenë, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë! E kemi të shenjtë ta ndërtojmë jetën me vlerat e besimit tonë, sikurse e kemi të shenjtë ta ndalojmë të keqen dhe ta mbrojmë të mirën me krejt fuqitë që kemi!

Këto ditë kemi dëshmuar krime dhe vrasje, padrejtësi e zaptime, jemi përballur me zullume të panumërta në sakrificën tonë për ruajtjen dhe zhvillimin e pronave tona legjitime, si: në Zdralej, Zogaj, Qafë, Dudas e shumë e shumë vende të tjera, ku shohim neglizhencën e Bashkisë, Prokurorisë, Gjykatës, por jo vetëm, për të çuar në vend një hak të nëpërkëmbur prej dekadash..!?

Po ndjekim me shqetësim të madh përhapjen e zjarreve përreth Shkodrës dhe mbarë vendit, thatësirën e kësaj stine, që e tejkalon natyrën e zakonshme të verës në vendin tonë, mungesën e reshjeve begatuese, shoqëruar me përhapjen në masë të alkoolit, muzikës shurdhuese pa asnjë kriter disiplinues, lakuriqësinë dhe përhapjen e imoralitetit, tradhëtitë bashkëshortore dhe divorcet përherë e në rritje për shkak të devijimit nga besimi dhe morali i fesë, abortet abuzive dhe përhapjen e drogërave të ndryshme, kultivimin e bimëve narkotike dhe shtimin e fajdeve, përhapjen e injorancës dhe veshjen e saj me kollare e kostum, por jo vetëm kaq!”-, tha ndër të tjera Myftiu.

Sikurse ishte lajmëruar, në fund të kësaj hytbeje, u bë edhe lutja masive për zbritjen e shiut dhe begatimin e vendit.