Myftiu: “Këtë fé e ka garantuar All-llahu, s’e errëson dot asnjë propagandë!”

Në vazhdën e hytbeve që po mban në Xhaminë e Plumbit, prej katër javësh, të xhumanë e sotme, më 19 janar 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka hedhur dritë mbi fakte që lidhen me përkujdesjen dhe mbrojtjen hyjnore që Zoti i gjithësisë i ka garantuar fesë së Tij.

“Teksa lexojmë ajetin e parafundit të sures “El-Fet’h”, kuptojmë me qartësi, se kjo fé e madhnueshme islame është e mbrojtur dhe e garantuar nga Vetë Zoti i Vetëm i gjithësisë! Sa e sa është luftuar i Dërguari i fundit, sa e sa është ofenduar e sulmuar edhe fizikisht, sa e sa është sulmuar pa të drejtë kjo fé ndër shekuj e sa e sa vazhdon të propagandohet akoma sot, kundër saj! Rezultatet janë të dukshme: ditë pas dite rritet numri i të konvertuarve në fenë e All-llahut, kudo nëpër botë! Ditë pas dite, njerëz pa fund, gjithandej nëpër botë hyjnë në Islam, elhamdulilah!

Po të rikthehemi në leximet e vjetra, thuajse në çdo numër të revistës “Zani i Naltë”, do të gjesh një pasqyrë për numrin e muslimanëve në vende të ndryshme të perëndimit dhe konvertime të shumta. Po të hidhni sytë nga mesi i shekullit që kaloi, do të gjeni emra të mëdhenj intelektualësh, shkencëtarësh e diplomatësh, të cilët dëshmuan Islamin si rrugën e udhëzimit. Rozhe Garodi (Francë), Robert Krajn (ShBA), e shumë historianë, biologë, mjekë e shkrimtarë në perëndim, që dëshmuan Shehadetin e shpëtimit dhe u kthyen në thirrës të urtë drejt Islamit!

Propagandat e sotme kundër Islamit dhe muslimanëve, nuk ia zbehin madhështinë fesë së All-llahut, përkundrazi! Njerëzia po e sheh me fakte dhe argumente të shumta shkencore madhështinë e Islamit dhe gënjeshtrën e madhe të atyre që sot, bëjnë tregëti ndërkombëtare kundër nesh dhe fesë sonë!

Kjo fé është e triumfuar, ky shekull është i Islamit! Këtë fé e ka garantuar All-llahu, s’e errëson dot asnjë propagandë!”, tha ndër të tjera Myftiu.