Shprehje zemërimi dhe dënim i akteve terroriste

Myftinia Shkodër dënon aktin terrorist të djegies së një xhamie, mbrëmjen e kaluar, më 10 mars 2018 në Berlin të Gjermanisë.

Akte të tilla janë shenjë e qartë e urrejtjes dhe vullnetit të hapur të grupeve terroriste, që janë të ineresuara për mbjelljen e pasigurisë, përhapjen e frikës dhe mbi të gjitha, shfaqjen e islamofobisë dhe urrejtjes shekullore ndaj Islamit dhe muslimanëve, që historikisht kanë ndërtuar ura të komunikimit dhe dialogut, kudo e me këdo!

Evropa është në borxh me muslimanët dhe vlerat qytetëruese që ata përhapën në vende të ndryshme të saj, duke u bërë shkak për nxitjen dhe përhapjen e dritës së dijes dhe vlerave më të spikatura të qytetërimit dhe përparimit, që qëndrojnë në zanafillën e Thirrjes Islame.

Kohëve të fundit, thirrjet ekstremiste të klasave të ndryshme politike në vende të ndryshme të Evropës, kundër emigrantëve dhe muslimanëve në veçanti, janë sinjale negative që nxisin frymëra mesjetare, të mbushura me injorancë dhe primitivizëm, urrejtje dhe intolerancë të papranuar nga logjika e shëndoshë njerëzore!

Myftinia Shkodër dënon aktet e dhunës, thirrjet e saj dhe çdo përpjekjet për mbjelljen e farës së urryer të terrorizmit, intolerancës dhe islamofobisë, sikurse nxit përherë respektin e lirisë fetare dhe shenjtërinë e objekteve të kultit, kudo e kurdoherë!

Lutjet tona janë që fryma e paqes dhe e qytetërimit të vlerave të dominojë kudo, që njerëzit të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe askush të mos dhunohet a të paragjykohet për lirinë e besimit dhe përzgjedhjen e tij fetare!

Shkodër, 11 mars 2018