Urimi i Myftiut me rastin e fillimit të Tre Muajve të Mirë 1439

Të dashur vëllezër dhe motra, besimtarë dhe bashkëqytetarë!

Më lejoni t'ju drejtohem me një lutje të përzemërt dhe me një urim të mbushur me bekim e mirësi, me rastin e fillimit të atmosferës së begatë të Tre Muajve të Mirë; Rexheb, Shaban dhe Ramazan.

Këto tre muaj, janë një periudhë e re kohore, që na vjen si një mundësi tjetër nga Zoti i gjithësisë, për t'u penduar e për t'u kthyer nga dyert e Dashnisë së Tij, harmonisë dhe faljes në familje, bamirësisë dhe altruizmit në shoqëri, tolerancës dhe zemërgjerësisë në marrëdhënie me tjetrin, butësisë dhe seriozitetit në marrëdhënie me njerëzit në nevojë.

Realitetet e sotme shqiptare, por edhe ato mbarëbotërore, po na vërtetojnë përherë e më shumë se jeta pa Zotin dhe vlerat e besimit, e kthen njeriun në krijesë xhungle, ku më i forti e më arroganti, dominon me padrejtësi mbi të tjerët!

Shqipëria e jonë sot, lëngon nga humbja e rrugës së udhëzimit, propagandat kundër moralit dhe fesë po e varfërojnë përherë e më shumë vendin, anashkalimi i besimit dhe zhytja në ateizëm e shekullarizëm ekstrem, imitimi i veseve dhe sjelljeve më perverse dhe më të pavlera të tjerëve, si dhe pushteti në duart e ca të paudhëzuarve, po e mjeron vendin përherë e më shumë!

Këtu, na duhet, si familje e madhe e besimit dhe vlerave të tij, të afrohemi dhe të bashkohemi, të hedhim tutje simbolet e përçarjes, të punojmë me sinqeritet për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen e kombit dhe fëmijëve të tij!

Këto tre muaj janë stacione reflektimi, pendimi dhe rizgjimi, për të gjetur fillin e humbur këtu e një shekull më parë, për t'u kthyer te lavdia e besimit dhe madhështia e Islamit, që i nxorri shqiptarët nga injoranca në dije, nga papastërtia në dlirësi, nga prapambetja në një qytetërim vlerash, që botës i fali paqe dhe jetë!

Është koha të lutemi për njëri-tjetrin, për të mirën e vendit, për forcimin e ymetit, për pastrimin e botës sonë nga terrorizmi dhe dhuna, nga dyfytyrësia dhe korrupsioni, nga droga dhe bimët narkotike, nga krimi dhe injoranca; që sëbashku gjejnë zgjidhje tek kthimi me zemër nga All-llahu i Madhëruar dhe vendosja e pakthyeshme për të ndryshuar jetën!

Lutem me zemër për njerëzit e përmbytur në këto ditë të vështira, për skamnorët e jetimët, për nxënësit dhe studentët, për forcimin e familjes shqiptare dhe pastrimin e saj nga fenomenet vrastare të dashurisë, prehjes, qetësisë, harmonisë dhe mirëqenies në to!

All-llahu ju dashtë dhe ju begatoftë! All-llahu e begatoftë popullin dhe kombin tonë! All-llahu i dhashtë mbarësi dhe sukses mbarë ymetit islam! All-llahu e shpëtoftë njerëzinë nga e keqja! Amin!

Myftiu i Juaj, Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 19 mars 2018