Së shpejti cikli i ligjëratave: “Resulull-llahu (a.s.) – shembulli më i përsosur”

Paraditën e së mërkurës, më 24 tetor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, takoi disa prej imamëve të qytetit dhe fshatit, me të cilët ndau projekt-idenë e fillimit të një cikli të ri ligjëratash me temë: “Resulull-llahu (a.s.) – shembulli më i përsosur”.

Myftiu shpjegoi se ky cikël nis pas diskutimeve dhe sugjerimeve të bëra nga imamët tnë, kryesisht të fshatrave, që kanë kërkuar më shumë aktivitete fetare, tubime e ligjërata për xhematin dhe banorët muslimanë të Qarkut Shkodër.

U lajmërua për idenë e këtyre tubimeve, si dhe imamët teologë që do të angazhohen në to. Njëkohësisht, u theksua rëndësia që kanë këto ligjërata në prag të fillimit të Muajit Rebiulevel 1440, në të cilin mbarë bota islame përkujton Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.), të Dërguarit të All-llahut për mbarë botët.

Gjatë këtij takimi u vu theksi edhe tek domosdoshmëria e përzgjedhjes së tematikave dhe fjalorit me të cilin komunikojmë me njerëzit, qoftë në xhami, a në rrjetet sociale.